TIRANE- Anëtarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të kallëzojnë kryebashkiakun Erion Veliaj, pasi sipas pas tyre në mbledhjen e fundit janë miratuar vendime antiligjore. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me 30 dhjetor, u miratua edhe buxheti për 2016-ë, por sipas tyre këto akte janë të pavlefshme.

Në një deklaratë për mediat, anëtari i djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, tha se “Vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit ‎nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. Për të njëjtën arsye, fakti që bazohen në një akt që ende nuk ka fuqi është i pavlefshëm dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë”.

Por ndaj këtyre akuzave ka reaguar Bashkia e Tiranës, duke theksuar se buxheti i vitit 2016 prasikon zgjidhje të problemeve. Në reagimin e Bashkisë thuhet se gjatë drejtimit të këtij institucioni nga Basha nuk janë bërë investimet e duhura.

“Këshilltarët Bashkiakë të Tiranës miratuan me një shumicë të cilësuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për vitin 2016. Ky është buxheti më i madh që Bashkia e Tiranës ka pasur në dispozicion në historinë e saj. Nëpërmjet këtij buxheti, gjatë 2016-ës, do të fillojnë të jetësohen zgjidhjet e problemeve madhore, nën të cilat qyteti ka lënguar në 4 vitet e fundit. Këtë vit fillojmë investimin për zgjidhjen përfundimtare të shkollave me dy turne, një plagë e turpshme për kryeqytetin e vendit; i japim zgjidhje problemit të pastrimit, mbledhjes dhe depozitimit të plehrave, të cilin e gjetëm në situatë emergjence; si dhe modernizojmë dhe shtrijmë rrjetin e transportit urban në të gjithë qytetin.

Buxheti i ri ndërtohet mbi një paketë fiskale të përgjegjshme, e cila ul taksat për biznesin e vogël, përjashton nga disa taksa familjet në nevojë, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. Ul me 30% taksat për njësitë administrative rurale, dhe ul me 30% taksën e tokës bujqësore për ata që e punojnë tokën. Duke mbledhur më shumë të ardhura, nga më shumë banorë, e më shumë nga ata që kanë më shumë, ky buxhet sjell zgjidhje të vështira, por të domosdoshme për zhvillimin e qytetit.

Pas dy javë negociatash, dje Këshilli Bashkiak miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për të mos e rritur çmimin e biletës së autobusëve urbanë, por vetëm për ta indeksuar atë, me normën e inflacionit të 8 viteve, si një masë e detyrueshme ligjore për të dalë nga situata e rënduar që trashëguam në muajin gusht. Por, fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejtë nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe i’u fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin. Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Hollanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s’pati kurrë guximin t’i ndërmarrë ato.

Ky njeri, nuk e deshi kurrë qytetin e Tiranës dhe nuk e do zhvillimin e tij. Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

DEKLARATA E PLOTË
Për nder të Veliajt dita e fundvitit 2015 të shpallet dita e vjedhjes qeveritare.

Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili nga nguti për të mbyllur menjëherë aferat e tij prej mijëra eurosh ka miratuar vendime jo vetëm në dëm të qytetarëve të Tiranes por edhe në shkelje të ligjit.

Pavarësisht se një hajdut me eksperiencë dhe gjakftohtë, nxitimi për të vjedhur dhe natën e vitit te ri ka bërë që aktet e datës 30 Dhjetor të jenë absolutisht të pavlefshme.

Vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit ‎nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. Për të njejtën arsye, fakti që bazohen në një akt që ende nuk ka fuqi është i pavlefshëm dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë.

Afera korruptive për dhënien me koncension të parkut Rinia për 35 vite një klienti i cili do investojë 20 milionë dollarë për ndërtimin e parkimit për të fituar mbi 500 milionë dollarë sipas planbiznesit, është e paligjshme sepse kontrata e miratuar është ajo që u la gati nga Rama dhe bazohet në ligjin e koncensioneve të vitit 2006 dhe jo 2013. Shpejtësia e miratimit të këtij koncensioni korruptiv ka bërë që të mos respektohen kërkesat bazike të ligjit në rastin e një procedurë koncensionare.

Vendimi i Veliajt marrë në mesnatë si nje hajdut ordiner, për të rritur çmimin e biletave për qytetarët është një tjetër aferë e pastër korruptive që do të cojë në xhepat e Veliajt dhe ortakëve të tij rreth 6 milionë dollarë çdo vit. Edhe ky akt është i pavlefshëm sepse ai ka kaluar në Këshillin Bashkiak pa respektuar procedurën dhe afatet ligjore.

Për nga intensiteti i hajdutërisë Veliaj ka bërë xhelozë të gjithë kabinetin Rama.

Partia Demokratike është e vendosur ti shkojë deri në fund betejës ligjore dhe qytetare për këto afera të pastra korruptive të ndërmarra nga Veliaj të cilat do të përkeqësonin dhe më tëj jetën e qytetarëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: