TIRANE- Partia Demokratike do ta bllokojë në gjykatë vjedhjen e qytetarëve me “Veliaj parking”‏. Këtë e ka shprehur në një deklaratë për mediat këshilltari i djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj. Krijimi i agjencisë “Tirana Parking” sipas PD “është një instrument që do të rrjepë qytetarët”.

Sipas Topollajt, kreu i Bashkisë Erion Veliaj miratoi në terr informativ tarifat e parkimit në 71 rrugë të kryeqytetit në dhjetëra sheshpushime lagjesh, tarifa këto sipas tij, “më të larta se të gjithë kryeqytetet e rajonit dhe nga më të lartat në Europë”.

JA DEKLARATA E PLOTË
Me ardhjen e Erjon Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, lukunisë së hajdutëve të maxhorancës Rama-Meta i është shtuar dhe një front i ri vjedhjeje.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, Veliaj shpejtoi të kalonte pa debat krijimin e agjencisë “Tirana Parking” si instrumenti që do të rrjepjë qytetarët edhe në këtë sektor.

Veliaj miratoi në terr informativ tarifat e parkimit në 71 rrugë të kryeqytetit në dhjetra sheshpushime lagjesh, tarifa këto më të larta se të gjithë kryeqytetet e rajonit dhe nga më të lartat në Europë.
Nën modelin Rama me tarifa, taksa dhe tatime arbitrare, Erjon Veliaj është kujdesur të shtojë dhe një taksë të re për te gjithë qytetarët e Tiranës, taksën e parkimit te mjeteve e cila varion nga 1000 lekë ora për mbi 30 rrugë të Tiranës, në 400 lekë ora në mbi 30 rrugë të tjera.

Nëse çmimi i rritur i naftës ka detyruar banorët të fikin makinat dhe lëvizjen me mjetet personale ta konsiderojnë luks, sot falë Erjon veliajt, në Kryeqytet nuk kushton vetëm udhëtimi me makinë por kushton njësoj, ndoshta ca më tepër, dhe qendrimi parkuar.

Agjencia Tirana Parking nuk është gjë tjeter veçse krijimi i shtratit juridik për zhvatjen dhe shfrytëzimin nga klientela e Veliajt për qëllime korruptive, të aseteve të Kryeqytetit.

Vonesa 2 orëshe e anëtarëve të LSI në Këshill dhe negociatat me Veliajn nuk rezultuan të kishin për qëllim uljen e tarifave të parkimit, as mbrojtjen e rezidentëve që do duhet të paguajnë njësoj si vizitorët e qytetit nga ora 7;30 deri ne orën 20 të mbrëmjes, por kishte vetëm një synim, ndarjen me drejtësi të tortës së korrupsionit, në mënyrë që me asetet e qytetit të mos vjedhë vetem Erjon Veliaj por dhe LSI e Ilir Metës.

Që qytetarët e Tiranës të mos informoheshin për këtë skandal të fëlliqur, jo vetëm Këshilltarëve të Opozitës iu ndërpre fjala, jo vetem rioshët e LSI dhe veteranët e PS provokonin incidente në mbledhje, por kur të gjitha këto rezultuan jo efektive, vetë truproja e Erjon Veliajt që ka qëlluar të jetë dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, mbylli në mënyrë arbitrare mbledhjen, duke u hequr mundësinë e fjalës pjesës më të madhe të këshilltarëve dhe duke kaluar pa diskutim pjesën më të madhe të çështjeve të rendit të ditës.

Partia Demokratike jo vetëm do të denoncojë këtë procedurë korruptive dhe antidemokratike në opinion dhe tek partnerët ndërkombëtarë, por do të bllokojë zbatimin e vendimit klientelist të parkimeve duke ndjekur çështjen në rrugë gjyqsore për shkak se akti i miratuar me shpejtësi dhe në shkelje të të gjitha procedurave të funksionimit te Këshillit Bashkiak, prek disa ligje dhe akte nënligjore, dhe është bërë vetëm e vetëm për të vjedhur.

Ne nuk do lejojmë që “Veliaj dhe LSI parking”, të pasurohet në kurriz të qytetarëve të Tiranës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: