Një çift nga kantoni i Cyrihut ka torturuar për vite me radhë dy nga shtatë fëmijët e tyre. Ndër të tjera, babai me origjinë kosovare dhe nëna zvicerane i kanë mbyllur dy prej fëmijëve në dhomë dhe në bodrumin e ftohtë.

Sipas vendimit më të ri, nëna duhet të mbahet në burg për 10.5 vjet ndërsa gjykata e qarkut e kishte dënuar me 12 vjet burg. Dënimi me burg i babait është ende 16.5 vjet, pra i njëjtë me atë të dhënë nga Gjykata e Qarkut, bëhet e ditur nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA.

Kryetari i trupit gjykues Sebastian Aeppli ka folur për një “regjim terrorist”.

Nga ana tjetër, çifti kishte apeluar vendimin e dhënë nga gjykata e qarkut. Prandaj, seanca e apelit para Gjykatës së Lartë të Cyrihut u zhvillua nëntorin e kaluar. Në seancë prokurori kishte kërkuar burgim shumë të lartë prej 19.5 për burrin dhe 15 vitesh për gruan.

Për vite me radhë, sipas aktakuzës, fëmijët ushqeheshin shumë dobët kështu që ata ishin nënpeshë. Atyre u duhej të vidhnin ushqim nga fëmijët e tjerë në shkollë ose të kontrollonin tinëzisht për ushqim në shtëpi. Në moshën nën 9-vjeçare, djali peshonte vetëm 18.5 kilogramë, vajza një vit më e madhe më pak se 22 kilogramë.

Prindërit nuk i kushtonin vëmendje as higjienës personale dhe as shëndetit të fëmijëve. Fëmijët kishin këpucë shumë të vogla, kështu që u shkaktoheshin kallo në këmbë. Atyre gjithashtu nuk u lejohej të merrnin pjesë në ekskursione shkollore dhe kampe klase, si dhe u ndalohej të kontaktonin shokët e klasës. Shkurt, ata ishin thuajse të izoluar nga bota e jashtme.

Sipas aktakuzës, nëna u ka kërkuar fëmijëve të hanë të vjellat e tyre. Ajo kishte shtyrë kokën e vajzës drejt të vjellave të saj. Djalin madje e kishte detyruar të hante jashtëqitjen e tij. Në një rast, fëmijët ishin detyruar të vinin pelenat e tyre të lagura me urinë në kokë dhe të qëndronin ashtu të heshtur, nga mëngjesi deri natën, përcjell albinfo.ch. Babai i kishte shtyrë njëherë vajzës kokën në tualet dhe e kishte lëshuar ujin.

Shuplakat dhe goditjet me shkop bambuje ishin të rregullta. Aq sa edhe mësuesit në shkollë kishin vënë re njolla, shenja goditjesh te fëmijët. Sipas aktakuzës, babai ka goditur fëmijët dhe i ka tërhequr për flokësh pothuajse çdo ditë.

Vuajtjet kanë përfunduar kur djali dhe vajza u vendosën në sektorin e urgjencës të shtëpisë së fëmijëve në fund të vitit 2010 për shkak të abuzimit psikologjik dhe fizik. Fëmijët ishin traumatizuar rëndë dhe kështu, kishin shenja të zhvillimit të vonuar. Ata kanë marrë terapi javore me vite, por gjithashtu duhet të mbështeten nga sigurimi për personat me aftësi të kufizuar, në moshën e rritur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb