Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot për homazh një tjetër emër, që ka lënë gjurmë në historinë shqiptare, Zai Fundon. Mes të tjerash, Rama shkruan se “Zai, i cili kishte zëvendësuar Avni Rustemin në krye të “Bashkimit”, pas vrasjes se këtij të fundit, gëzonte që pa mbushur ende 25 vjeç, një ndikim të jashtëzakonshëm mbi djalërinë e çdo klase shoqërore”.

Më tej, kryeministri vijon “24 karatësh si filozof, ëndërrimtar si poet dhe misheshpirt si aktivist, Zai i ka lënë Shqipërisë dhe Korçës, qytetit të lindjes jo vetëm vargjet më të ndjerë, por edhe jetën si kurban në altarin e lirisë”.

Mesazhi i plotë:

HOMAZH
ZAI FUNDO është një emër që kur shfletonim librat e historisë në shkollë asokohe, shfaqej si një gogol i zi në kapitullin e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Më vonë mësova se për të, njëri nga etërit e projektit europian, Altiero Spinelli, kishte një admirim të posaçëm. E cilësonte si personin me autoritativ ndër shqiptarët e internuar nga fashistët në Ventotene dhe e admironte tek e shihte si shëtiste brenda rrethimit me telat me gjemba, duke pëshpëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që e lexonte në greqisht. Për këtë njeri mbresëlënës në pamjen e në kulturën e tij, avokati Sandro Pertini, partizani e më pas presidenti emblematik i Republikës italiane, bëri çmos të lirohet nga internimi dhe të bashkohet me të majtën italiane.

Kur, më 23 shtator 1944, u masakrua mizorisht në Kukës, sipas urdhrit lakonik të Enver Hoxhes, “Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni”, ai ishte me të vërtetë një nga figurat intelektuale dhe aktiviste më të adhuruara të së majtës europiane dhe të antifashizmit botëror. I dënuar me vdekje nga Stalini, pse si ish-kuadro i lartë i Internacionales në Moskë i pat rezistuar torturave dhe i pat nxjerrë në shesh krimet regjimit të tij, ishte gjithaq i përndjekur nga nazistët, qëkurse me Gjergj Dimitrovin u përballën me gjyqin e inskenuar të djegies se Reichstag-ut, pak kohë pas marrjes së pushtetit nga Hitleri në Berlin.

Arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur, siç shkruante Noli, një nga admiruesit e tij më të mëdhenj, Zai, i cili kishte zëvendësuar Avni Rustemin në krye të “Bashkimit”, pas vrasjes se këtij të fundit, gëzonte që pa mbushur ende 25 vjeç, një ndikim të jashtëzakonshëm mbi djalërinë e çdo klase shoqërore. Ndër revolucionarët “aristokratë”, voskopojari Llazar Fundo përfaqësonte arhondët, njësoj siç Tajar Zavalani përfaqësonte bejlerët. Me atë pamjen prej Robespieri e Sent-Jysti, flokëverdhë e sykaltër, shembëlltyrë e gjallë e korifejve të Revolucionit Francez të 1789-ës, ai ndryshonte prej tyre thelbësisht pasi nuk ishte për marrjen e pushtetit nëpërmjet gjakut dhe shfarosjeve në emër të idealit.

24 karatësh si filozof, ëndërrimtar si poet dhe misheshpirt si aktivist, Zai i ka lënë Shqipërisë dhe Korçës, qytetit të lindjes jo vetëm vargjet më të ndjerë, por edhe jetën si kurban në altarin e lirisë. Sa më shumë këmbëngulte Pertini që ai të qëndronte në Itali, pas rënies së regjimit fashist, për të rithemeluar së bashku të majtën italiane, aq me shumë Zai bindej se vendi i tij ishte në Shqipëri, krah për krah bashkëkombasve të angazhuar me Nacionalçlirimtaren. Me këto premisa zbarkoi nga Pulja në shtator 1944 dhe së bashku me çetën e Kryezinjve u hodh në betejë, ku la kockat i masakruar nga të tijët!

“E ndjej si detyrë” – shkruan Altiero Spinelli në librin e kujtimeve të tij, “Si u përpoqa të bëhem i urtë”, të shkruaj për Zain, për të ndihmuar sadopak të mos i bjerret kujtimi”.
Çfarë shqiptari!
#TëPAHARRUESHËM?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb