TIRANË- Avokati i Popullit Igli Totozani ka pritur sot në një takim të veçantë Ombudsmanin Danez Jørgen Steen Sørensen. Dy zyrtarët kanë diskutuar për bashkëpunimin dy palësh, ndërsa pas takimit Totozani theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën që Ombudsmani danez ka dhënë për Avokatin e Popullit që nga themelimi i institucionit.

Duke e cilësuar të vyer ndihmën që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për Shqipërinë dhe veçanërisht për institucionin, Avokati Popullit shtoi se bashkëpunimi mes dy palëve do të forcohet më tej.

Nga ana e tij Ombudsmani danez Jørgen Steen Sørensen shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të dytë në Tiranë ndërsa vlerësoi punën dhe kontributin e deritanishëm të Avokatit të Popullit, Igli Totozani në fushën e të drejtave të njeriut. Gjithashtu Sorensen shtoi se ndodhet në Shqipëri për të diskutuar platformën që forcon dhe çon më tej bashkëpunimin me Avokatin e Popullit.

Pas takimit me Avokatit e Popullit Igli Totozani, Ombudsmani danez është takuar dhe me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Ndërkohë në axhendën e tij Sorensen do të takohet me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe zv/kryeministrin Niko Peleshi.

Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë mbështetjen e saj që nga themelimi i institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, përmes një granti financiar te akorduar në kuadër të marrëveshjes së dy qeverive tona, nënshkruar në Kopenhagen në korrik 1999.

Bashkëpunimi me zyrën e Ombudsmanit Danez në vitet 1999-2003, përmes programit DANIDA të Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës ka dhënë ndikimin e vet mjaft pozitiv në të gjitha aspektet e funksionimit të zyrës së Avokatit të Popullit. Kjo mbështetje ka qenë konkrete, tepër e pranishme dhe mjaft efeciente për ngritjen dhe fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Aktualisht, institucioni i Avokatit të Popullit po mbështetet nga projekti i financuar nga Qeveria Daneze dhe i zbatuar nga Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut me titull “Forcimi i Ombudsmanit Shqiptar: Më pranë komuniteteve lokale, shoqërisë civile dhe medias (2012-2015).”

Në kuadër të këtij projekti, për herë të parë që nga krijimi i tij, institucioni i Avokati i Popullit ka zhvilluar një Plan Strategjik që mbulon periudhën 2013-2015.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: