Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pasi doli nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku dëshmoi për 1 orë e 30 minuta, tha se iu ka dorëzuar më shumë informacione prokurorëve belgë, nga ato që kanë dalë në publik në lidhje me çështjen e “Toyota Yaris”, për të cilën akuzon kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën.

Sipas Bashës, Taulant Balla duhet të ishte në burg.

“Dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave të drejtësisë shqiptare dhe atyre belge. Dhashë informacione të plota, më shumë se ato që kam dhënë në publik”,- u shpreh Basha.

I pyetur nëse e ka treguar burimin e informacioneve të mbledhura për këtë çështje, Basha u shpreh: “Dhashë informacione të plota për çështjen e Toyota Yaris, më shumë se sa kanë dalë në publik. Taulant Balla duhet të ishte në pranga sot. Pastrimi i parave të drogës është kthyer në një problem për vendin dhe stabilitetin e tij. Qeveria e Ramës dhe vetë Rama janë kthyer në shërbëtorë dhe përfitues të parave të drogës dhe krimit. Gjithçka që po kryhet sot, gjithçka bëhet për të pastruar paratë e krimit dhe drogës. Objektivi kryesor i Ramës është që përmes bashkëpunimit me krimin e organizuar të akumulojë sa më shumë pushtet e para.

Basha renditi disa koncesione dhe projekte si: Milot-Balldren, Unaza e Re, stadiumi, teatri për tëcilat tha se janë skema të pastra të pastrimit të parave të pista.

Belgjika prej disa muajsh po heton paralelisht me Shqipërinë për të zbuluar personat e implikuar në pastrimin e parave. Aksioni për bllokimin e eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar. Rastin asokohe e denoncoi në Kuvend kryedemokrati Basha. Dy ditë pasi u bllokuan në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 mln euro, Basha denoncoi rastin në Kuvend, para se polica të dilte me një deklaratë zyrtare. Pikërisht për burmin e informacionit, Basha mësohet të ketë dhënë sqarime sot.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb