Autoritetet belge kanë shpallur në kërkim dy kushërinjtë shqiptarë Alfred dhe Elvis Vladi (33 dhe 39 vjeç), të cilët kanë lidhje me zbulimin e 3.5 milionë eurove në mjetet “Toyota Yaris”, një vit më parë, në Portin e Durrësit.

Lajmi është bërë i ditur nga media belge “HLN”, e cila shkruan ndër të tjera se kushërinjtë shqiptarë mund të jenë të rrezikshëm.

“Si pjesë e një hetimi juridik në lidhje me zbulimin e afro 3.5 milionë € nga autoritetet shqiptare në pjesën e brendshme të dy makinave të përdorura, policia federale belge po kërkon dy shqiptarë.

Sot, autoritetet kanë shpërndarë mesazhin e hetimit për Alfred dhe Elvis Vladin. Të dy mund të jenë shumë të rrezikshëm”, thuhet në artikullin e gazetës belge.

Më 24 qershor 2018, një kamion shqiptar u inspektua nga autoritetet gjyqësore shqiptare në portin e Durrësit, brenda të cilit ishin nëntë automjete, kryesisht nga Belgjika.

Autoritetet shqiptare zbuluan një shumë totale prej 3.366.700 euro dhe 80,000 franga zvicerane në pjesën e brendshme të dy prej këtyre automjeteve.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb