Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot lindjen e poetit të shquar shqiptar At Gjergj Fishta. Teksa ka sjellë në vëmendje disa vargje poetit, duke ‘shigjetuar’ kështu dhe politikën shqiptare, Meta thekson se Fishta është një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe.

Sipas Metës, Padre Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale.

MESAZHI I METËS
“O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lanë pa Atdhe,
E Ti rri e gjuan me rrufe
Lisat n’për male kot…”
Si sot, 149 vite më parë lindi Epiku ynë më i madh, poeti i shquar At Gjergj Fishta, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, i cili jetësoi vlerat e Rilindjes sonë Kombëtare.
Figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.
Spikat veçanërisht roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit ku u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, me një angazhim të vyer për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, deputet, anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, i angazhuar për njohjen diplomatike të Shqipërisë, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Edhe pse i përkushtuar ndaj një besimi, për të Shqiptaria ishte misioni më fisnik i kombit, që na e la trashëgimi dhe prej së cilës ne frymëzohemi edhe sot.
At Gjergj Fishta me kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe me gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, idealizoi dhe kërkoi shqiptarin e përjetshëm, heroin dhe misionarin e kombit që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete.
Ky është një mesazh që edhe sot mbetet më i fortë dhe i vlefshëm se kurrë: Të punojmë vetëm për të mirën dhe të ardhmen e ndritur të Shqipërisë.
Padre Fishta fshikulloi si rrallëkush politikanët mercenarë e të korruptuar që minonin interesat kombëtare për përfitime personale, duke na lënë amanet për të qenë gjithmonë të vëmendshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe të shtetit nga çdo kërcënim, që aq mjeshtërisht e ka shprehur në vargjet:
“Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e Atdhè?” ??
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb