Policia e Shtetit, me anë të një lajmërimi për mediat, bën me dije se në 24 orët e fundit ka arrestuar 23 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Sipas policisë, janë prangosur gjithashtu 5 persona, që ishin në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Vijon në të gjithë vendin, zbatimi i detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit, të atyre që shpërndajë apo trafikojnë lëndë narkotike  etj.

Gjatë orëve të fundit janë sekuestruar tri armë zjarri (dy pistoleta dhe një kallashnikov), rreth 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis, dy armë të ftohta dhe një armë gjahu, si dhe janë ushtruar dhjetëra kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje të sendeve të kundërligjshme apo përdorim të lëndëve narkotike.

Si rezultat, janë kapur dhe vënë në pranga dy persona me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, të cilët qarkullonin me armë zjarri, konkretisht 1 në Durrës dhe 1 Tiranë.

Janë goditur tri raste në fushën e narkotikëve, konkretisht: Në Krujë është vënë në pranga një person që kultivonte lëndë narkotike dhe mbante armë zjarri, në Bulqizë janë vënë në pranga dy vëllezër për kultivim dhe në Kurbin është vënë në pranga një shtetas, për kultivim e mbajtje të kanabisit në banesë.

Në Kamzë, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti, duke vënë në pranga një shtetas, i cili gjatë konflikti qëlloi me armë gjahu në drejtim të një shtetasi me të cilin kishte konflikt për motive pronësie.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 23 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 6 janë proceduar penalisht dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon me angazhimin e të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë, forcës së posaçme “Shqiponjat”, FNSH-së, RENEA-s, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb