Gjigandi kimik gjerman BASF po përballet me një sfidë. Koncerni planifikon të investojë dhjetë miliardë euro në një qendër të re në Kinë. “Ky është vendimi më i madh, që kemi marrë ndonjëherë dhe një rrezik i madh,” thotë kryetari i kryesisë, Martin Brudermüller. Bota është në një luftë rishpërndarjeje ekonomike dhe teknologjike, rendi global dhe shumë forca të njohura janë shpërbërë.

Ekonominë kjo e vë në vështirësi. Kostot dhe teknologjitë, ekonomia mund t’i ndikojë, thotë Brudermüller. Por jo doganat dhe pengesat e tjera për qasjen në treg, luhatjet e monedhave dhe shpërbërjen e rregulloreve në nivelin politik dhe rregullator. “Ne thjesht kemi nevojë për kushte kuadër, në mënyrë që ta dimë se e gjitha do të funksionojë ende pas dhjetë, njëzet ose tridhjetë vjetësh,” kërkon Kryesia e BASF, jo vetëm përballë investimit të planifikuar në Kinë.

Vështrim në “listën e Trumpit”

Se çfarë do të thotë që rregullat të ndryshojnë vazhdimisht, këtë e di shumë mirë edhe Natalie Mekelburger. Ajo është Drejtoreshë ekzekutive e furnizuesit gjerman të automjeteve Coroplast Fritz Müller. Sipërmarrja e mesme prodhon të gjitha llojet e veshjeve kabllore, përfshirë kabllot e tensionit të lartë për automjetet elektrike.

6000 punonjës punojnë në dymbëdhjetë vende në të gjithë botën, nga të cilët tre prej tyre në Kinë. Nga atje, produktet dërgohen edhe në SHBA.

Kabllo – përçuesit nervorë të një automjeti elektrik

“Lufta tregtare është gjëja më kritike që mund t’i ndodhë një sipërmarrjeje,” deklaron Mekelburger. “Çdo ditë duhet të kontrollojmë listat e Trumpit, për të parë nëse jemi prekur.” Po të ngarkohej me dogana më të larta qoftë edhe vetëm një material i veshjes, atëherë kjo do t’i kushtonte kompanisë, me një shtesë 10 përqind, dy milion euro në vit, me një shtesë katër përqind, katër milion.

Politika e jashtme takon ekonominë

Ekonomia është në gjendje alarmi. Kjo ndihej qartë në Konferencën e Ambasadorëve në Ministrinë Federale të Jashtme, ku ishin mysafirë Brudermüller dhe Mekelburger. Një herë në vit, stafi drejtues i misioneve diplomatike gjermane takohet në Berlin. Tradicionalisht, në ditën e dytë të konferencës me afro 230 ambasadorët bashkohen më shumë se 1000 përfaqësues të biznesit. Temat kryesore këtë vit: lufta tregtare, Brexit-i, politika industriale dhe mbrojtja e klimës, të kombinuara me pyetjen se çfarë mund të ndërmarrin politika dhe biznesi.

Kur Kina e zhvlerësoi monedhën e saj kombëtare Juanin disa javë më parë, kujton Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, ai pati lexuar lajmin: “Gjermania mund të përfitonte nga tronditja e juanit”. “Kjo është logjika e proteksionistëve! Kushdo që mendon në këtë mënyrë nuk ka kuptuar asgjë, ” u ankua Maas në Konferencën e Ambasadorëve. “Në gjithnjë e më shumë vende të botës, shohim izolim, shohim përpjekjen për t’u imponuar të tjerëve rregulla, për të zgjedhur më të mirat për vete, për të ndjekur atë që i përshtatet”.

“Ku është përgjigjja jonë?”

Maasi këmbëngul për një aleancë të vendeve që duan të ndjekin rrugën tjetër. “Jo konkurrenca e pastër, por bashkëpunimi si i barabartë është një parakusht që një sistem të mbijetojë.” Përpara ambasadorëve dhe sipërmarrësve, Maasi mbrojti idenë e një ekonomie botërore shumë të lidhur me tregtinë e lirë dhe tregjet e hapura. “Po të mos i trajtojmë së bashku dhe globalisht detyrat e vështira të viteve dhe dekadave të ardhshme, në fund të gjithë do të humbasin.” Për këtë BE duhet të forcojë peshën globale dhe të bashkëpunojë më ngushtë. ”

Drejtori i Përgjithshëm i BASF, Martin Brudermüller shkon edhe një hap më tej. Ai bën thirrje për aleanca strategjike të politikës me biznesin, për të pasur mundësi për të vepruar më me vendosmëri ndaj vendeve të tjera. “Kur sheh se si vende si Korea, Japonia, SHBA, por edhe Kina organizojnë fuqitë e tyre dhe bëjnë oferta në botën e jashtme, atëherë ndonjëherë unë pyes veten time, ku është përgjigjja jonë për këtë?”

Politikë moderne koloniale

Shembulli, Rruga e Mëndafshit: Në një shtet të ASEAN-it, ai kishte pyetur një zyrtar qeveritar se çfarë bëri kundër “mbërthimit mbytës” prej kinezëve, të cilët ngulin këmbë që në ndërtimin e projekteve të infrastrukturës të favorizohen konsorciumet kineze, tregoi Brüdermüller në Konferencën e Ambasadorëve. Përgjigja që erdhi: “Po unë nuk kam asnjë alternativë, ju evropianët mund ta bëni atë, por ju nuk ofroni asgjë”.

Gjermanët dhe evropianët duhet të angazhohen shumë më tepër, kërkon bosi i industrisë. “Ajo që më shqetëson është që ne qëndrojmë nën potencialin tonë,” thotë Brudermüller. Në vend që të ankohemi për Rrugën e Mëndafshit për “politikën koloniale moderne” që bëjnë kinezët, duhet të formohen konsorciume industriale evropiane , të mbështetura nga garanci qeveritare, për të përballuar rrezikun financiar. “Ne vërtet kemi instrumente të mjaftueshme.”

Rruga e Mëndafshit ka dy drejtime. “Ti mund të shkosh nga Lindja në Perëndim dhe nga Perëndimi në Lindje”, thotë Drejtori i BASF. “Ne duhet të përqëndrohemi më shumë tek vetja sesa të shqetësohemi për kinezët, që po na marrin të ardhmen tonë.”

Dhe çfarë bëjnë sipërmarrjet e mesme?

Kaq e patrembur sipërmarrësja e mesme Natalie Mekelburger nuk është. Por ajo shpesh ndihet e lënë vetëm nga politika gjermane, me problemet e saj. Dy vjet më parë, një klient, një prodhues shtetëror kinez automjetesh, donte të ngrinte një ndërmarrje të përbashkët. “Por nuk ishte një fjalim miqësor, qe një mesazh i qartë”. Për të negociuar, në Gjermani u shfaq një delegacion, i cili ua kishte vënë syrin të trija vendndodhjeve të Coroplastit në Kinë. “Në të gjitha sipërmarrjet, ka produkte për elektromobilitetin, për të cilin ka interes të madh” thotë Mekelburger.

Gjermanët mbetën të palëkundur dhe refuzuan pas hezitimeve të gjata. “Krejt kontrollin nuk duam ta humbasim në Kinë”. Tani ata po presin pasojat e vendimit të tyre. “Në rastin më të keq, mund të ndodhë që të na duhet ta ndërpresim plotësisht biznesin në Kinë,” thotë Mekelburger. Por deri këtu, puna deri tani nuk ka ardhur.

Drejtorin e Përgjithshëm të BASF, Martin Brudermüller kjo nuk e habit. “Gjithmonë duhet të kemi diçka që ta duan kinezët. Atëherë hapen biseda dhe ke aftësinë të organizosh gjëra”.

Prandaj, atij do t’i pëlqente që sipërmarrjet kineze të vazhdonin investimet në Gjermani dhe Evropë. “Ai që ka diçka jashtë vendit, ai edhe mund të humbasë diçka dhe është pak më i kujdesshëm në kontakt”./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb