Përmetari që u kap pardje me pesë kg heroinë në makinë përdorte një taktikë personale për të “çarë rrethimin”, sa herë që dërgonte drogë drejt Greqisë, pasi doganierëve u thoshte frazën “magjike”: “Jam oficer i SHISH-it”.
Në fakt, Policia e Shtetit ka verifikuar këto ditë gjithçka rreth 30-vjeçarit Ervis Canka dhe nga një ballafaqim me Shërbimin Informativ Shtetëror rezulton se ai nuk ishte pjesë e strukturave efektive, porse thjesht një bashkëpunëtor ose i quajtur ndryshe informator. Pra, teksa Canka paguhej nga SHISH-i në këmbim të informacioneve për narkotrafikët apo të tjera trafiqe ilegale, ai e keqpërdorte këtë marrëveshje të ligjshme për të zgjeruar “biznesin”. Në fakt, Canka e kishte një biznes dhe bëhej fjalë për një kompani udhëtimesh drejt Greqisë. Burime të sigurta pranë Policisë së Shtetit, të cilat siguruan për gazetën “Shqip” këto detaje të operacionit “Stafeta”, shtuan gjithashtu se 30-vjeçari kishte një linjë transporti me autobusë drejt vendit fqinj. Nisur nga ky fakt, hetuesit dyshojnë se Canka mund të ketë trafikuar me dhjetëra kg drogë drejt Greqisë, gjithnjë duke përdorur petkun e SHISH-it dhe duke keqpërdorur një bashkëpunim të tij me shërbimin e inteligjencës.

Pardje, Policia e Gjirokastër sekuestroi pesë kg heroinë. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u finalizua operacioni i koduar “Stafeta”, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Ervis Canka, 30 vjeç, banues në Përmet. Arrestimi i tij u bë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një automjet tip “Benz” po transportonte lëndë narkotike. Kështu, është ngritur një pikë kontrolli në aksin rrugor Tepelenë-Përmet në vendin e quajtur Ura e Leklit. Në pikën e kontrollit është afruar mjeti tip “Benz” me targa AA 828 NC, me drejtim lëvizje Tepelenë–Përmet, ku drejtues mjeti ishte shtetasi Ervis Canka, i cili së bashku me automjetin e tij u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër për një kontroll më të imtësishëm. Nga kontrolli i automjetit rezultoi se në pjesën e pasme kishte një hapësirë midis sediljes së pasme dhe bagazhit, brenda së cilës u konstatuan 10 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë të mbështjella me natriban me peshë totale pesë kg e 150 gramë, si dhe 10 pako lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa të mbështjella me natriban me peshë totale 10 kg. Brenda në automjet u konstatuan dhe u sekuestruan dhe gjashtë aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Nga ana tjetër, policia ka tentuar të marrë dëshminë e 30-vjeçarit, i cili ka refuzuar të flasë, si për “shokët” ashtu edhe për rrethanat e këtij keqpërdorimi të besimit me shërbimin e inteligjencës. Hetimet kishin nisur pas disa raportimeve nga doganierët e pikave kufitare, të cilët patën njoftuar fillimisht policinë lokale për një “oficer të SHISH”, siç ai e prezantonte veten, që refuzonte kontrollet në kufi. Më tepër ai preferonte Tre Urat, ku ka më pak sportele. Më tej, policia kreu verifikimin në SHISH, ku rezultoi se Canka ishte thjesht bashkëpunëtor dhe pas përgjimeve telefonike dhe atyre ambientale, u krye edhe ndjekja e tij, gjatë së cilës u zbulua edhe sasia e drogës. Po kryhen hetime edhe në Tiranë, pasi mendohet se Canka ishte korrier dhe organizatorët ndodhen në kryeqytetin shqiptar, si dhe në Athinë.

Rastet e implikimeve të SHISH
Rastet kur punonjësit e SHISH-it janë implikuar në ngjarje të ndryshme kanë qenë të shumta, por më tepër spikat Florian Bushi, inspektori i Fierit, i cili u arrestua sepse policia dyshonte se shkëmbente SMS me njërin nga atentatorët e Granit Kasës, ngjarje kjo e shënuar në këtë fillimviti. Rekrutimi në SHISH i Gj.Martincanajt, një ish-shefi policie, i cili u mor peng nga banorët më 2012-n, që pretendonin se kishte kryer veprime të turpshme, është një tjetër rast. Arrestimi i një drejtori të SHISH-it se rilidhte ilegalisht energjinë elektrike apo shpallja në kërkim për vrasje e një punonjësi të SHISH-it përbëjnë raste të përfshirjes së punonjësve të këtij shërbimi në ngjarje të ndryshme.

(Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb