Ish ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 ka deklaruar se një trafikanti të drogës i garantohet e drejta nga Kushtetuta për një proces të rregullt ligjor, ndërsa individëve dhe kompanive të ndërtimit i vihet ultimatum 7 ditë, ose ma dorëzo, ose do ta shemb apo konfiskoj.

Ai ka deklaruar se në këtë rast kemi të bëjmë me një VKM selektiv, ndërsa theksoi se ka pasur një shqetësim në rritje nga disa media ndërkombëtare.

“Zëri i Amerikës ka pasur një shqetësim gjatë kësaj jave të shprehur gjatë lidhur me këtë vendim të qeverisë, të cilin ata e quajnë kontrovers, po ashtu dhe rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN ka pasur një shqetësim në rritje për aksionet qeveritare për prishjet me tritol dhe me fadroma, përfshirë dhe konfiskimet nëpërmjet këtij vendimi qeverie kontrovers; pikërisht këtyre shqetësimeve, të cilat nuk kanë të bëjnë me shoqatën e ndërtuesve të cilët hoqën dorë çuditërisht nga gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë të bëjnë pra me ndërtuesit dhe me kompanitë e ndërtimit, por kanë të bëjnë thelbësisht me të drejtat e individit, kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me cenimin e disa parimeve kushtetuese të sanksionuara dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht këtyre shqetësimeve të mediave ndërkombëtare unë i jam bashkëngjitur në shkrimin që kam bërë gjatë kësaj jave duke analizuar dhe duke e kanalizuar në profilin tim, si njohës i ligjit me 7 implikime kryesore kushtetuese, ku në opinionin tim këto implikime e bëjnë këtë vendim qeveritar kontrovers, e bëjnë të papajtueshëm me Kushtetutën. Ndaj i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë me përparësi për faktin se ky vendim qeverie po krijon pasoja ndoshta dhe të pariparueshme për individët në shtetin shqiptar. Për këtë arsye për të eliminuar këto pasoja, i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë me përparësi”, tha Halimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: