Shteti dhe politika vijojnë punimet. Ndërsa luajnë me popullin duke krijuar skenarë pa fund të ofruara nëpërmjet mediumeve mediatike, duke pasuar vëmëndjen her tek Lideri Suprem e herë tek Presidenti po mendoja:

– A ka pyetur ndokush veten se çfarë loje e madhe mund të luhet në atë Shqipërinë e errët me rrugët bosh? Edhe ditën!

A ka menduar ndokush qoftë dhe për një çast, disa minuta, të imagjinojë që ky izolim mund t’i shërbejë punëve të zeza, shumë trafiqeve. Atij njerëzor, “lëndësh speciale” e deri tek armët.

Unë them ta provojmë njëherë.
Do thoshit fantazi?!
Po ja përshembull, jo më larg se para dy javësh lajmet nga Italia na treguan që Lufta COVID nuk ia arriti të ndalojë drogën. Kur kamioni i nisur nga Durrësi u kap në bari me 30kg lëndë narkotike sipas raportimeve të Guardia di Finanza. Pastaj lajmi tjetër nga Maqedonia. Për të vijuar më tëj dhe lajme të tjera për shqiptarë të arrestuar përgjatë gjithë kësaj kohe jashtë Shqipërisë.

Ndoshta në këto raste dergohen dhe sinjale që mallrat janë dorëzuar, por çrëndësi ka kjo tani. Malli kaloi. Si kaloi?! Se dimë. Apo bënë sikur s’kanë parë?

E të mendosh që autoriteteve portuale tashmë që s’kanë fluksin e njëjtë të punës ende nuk arrijnë të bëjnë dot punën e tyre. A janë ndëshkuar njerës nga pala shqiptare për këtë gjë?
Pyetje retorike në fuqi!

Por faktet lënë dyshimet e tyre pasi edhe popullorçe nga historitë e të fortëve dimë që kur një sasi e vogël kapet, pas kësaj një sasi shumë herë më e madhe mund të ketë kaluar. Taktika që shpesh përdoreshin për të ç’orientuar autoritetet.
Historitë gjatë gjithë kohës na kanë trëguar dhe skandale më të mëdha. Por po ndalemi këtu tek mendimi që mbetet në fund. Mendimi që autoritetet e shtetit tonë mund të jenë të përfshirë në këto lloj shërbimesh ilegale për sa kohë gjejnë hapësirën të cilën mund ta krijojnë po vetë. Dhe për sa kohë nuk ndërmeren masat e duhura ndëshkimore për ata që u ka rrëshkitur malli!

Prandaj dita ditës në shtetin tonë dalin në pah paaftësitë institucionale për të menaxhuar, monitoruar, funksionuar dhe për të përmbushur detyrimet për të cilat paguhen nga shteti. Kur kishte flusk të larmishëm në porte dhe aeroporte në pika kufitare dhe ndërkufitare, po ja u toleronim dështimin. Por sot?! Sot kur keni të gjithë qetësinë e mundshme të kryeni shërbimet me efikasitet, si mund t’ju shpëtojnë gjëra të kësaj natyre?

Sa e sa gjëra bëhen e nuk raportohen publikisht. Sa e sa gjëra bëhen në emrin tënd o popull.

Dhe kujtojmë situatën e krijuar në vendin tonë pak para Luftës COVID në lidhje me emigrantët Sirianë. Situatë që prodhoi formën e re të trafikimit të qenieve njerëzore deri në abuzim me besimin e tyre. Ky do të jetë një mallkim për shoqërinë tonë. Dhe askush nuk hetoi siç duhej. Sepse në rrjetet që qarkullonin po të hynin të hetonin mund të gjenin prapë të fortët e shtetit me grada dhe uniformë në bashkëpunim me bizneset private, apo agjensi udhëtimesh dhe bosa të tregjeve ilegale deri tek taksixhinjtë hallexhinj. Dreqi ta hajë aq është Shqipëria dalim të njohur të gjithë. Ose duhet t’i mësoni rregullin e artë të heshtjes atyre, të punësuarve. Dhe prap askush nuk ka hetuar për këtë.

Mos ndoshta kjo situatë aktuale i shkon në favor dhe vetë shtetarëve për të gjeneruar të ardhura të padeklaruara. Imagjinoni për pak, rrugët bosh..! Populli fle.. Populli kyçur në shtëpi..! Çdo gjë në dorë të tyre! Policia, garda, ushtria në punë, në krye të frontit të luftës. Dhe tek tuk ndonjë klandestin që transportohet lirshëm. Askush se ka mendjen. Meqënëse ka rënë dhe ekonomia në vend dhe mbase kështu mund të vijojë pasurimi dhe forcimi i atyre në emër shtetit tonë, të popullit. Ishalla mos qoftë e vertetë. Djersa ëshë më e ëmbël.

Por izolimet kanë treguar që kanë favorizuar punët e “të mëdhenjve” në histori. Madje, madje atëherë u shkojnë fjollë. Ndalimi i qarkullimit i jep luksin qarkullimit të çdo gjëje të jashtëligjshme. Dhe nëse këto do të kapeshin do të vinin akoma më në pah dështimin dhe lojën e ndyrë të pushtetarëve së bashku me funksionarët e tyre “në shërbim kurdoherë”.

Të jemi koshientë e të kujtojmë që në Shqipëri kurrë skanë munguar ushtrimet e aktiviteteve të paligjshme me mjete dhe automjete shtetërore. Mjafton të hulumtosh pak e të kujtohen. Apo s’na ka dalë dhe ushtria në qarkullim!

E kur mendoja një ditë për trafikimin e armëve. Sa kohë pa një lajm. E fjala luftë më nxiste të mendoja akoma më shumë. A thua vallë duke parë dhe tensionin në disa vende rrotull Ballkanit jemi bërë dhe ne pjesë integrale e ofrimit të këtyre shërbimeve në rrugë tokësore dhe s’dimë gjë? A mendon kush për këto? A heton kush për këto? A i monitoron kush pikat kufitare e ndërkufitare?

Dhe kur degjoja Air Albania, Lasgushi me 8Ton Armatim për luftën tonë! U tremba, thashë mos vallë metafora s’thotë asgjë më shumë se të vërtetën duke këmbyer hekurat me bukë?

U tremba, dhe shpresoj që Lasgushin të mos na e bëjnë pis. Së ai ishte gjeniu i penës që i këndoi ujrave të ëmbla të Shqipërisë, jo ajrit! Ai ishte gjeniu i shpirtit dhe dashurisë, jo i luftës dhe urisë!

Kur mendon dhe rastin e emigrantëve apo turistëve Shqiptarë të mbetur jashtë vendit transportuar me të vetmen linjë ajrore të caktuar nga shteti mu kujtua ajo thënia alla Shqiptare: Një rrugë e dy punë!

Përveç faktit që mendimi ekonomik në investim thotë: – Shfrytëzo momentet e krizës për t’u hedhur në treg. Ata këtë po bëjnë. Po mbledhin gjithçka të mirë, dhe nga toka, dhe nga ajri. Sot mund ta bëjnë vetëm ata që kan luksin të kenë monopol të tyre Shqipërinë.

Pra shteti ushtron presion me të gjithë autoritetin dhe instancat e tij. Monitoron kur do, izolon dhe i jep shpërblim kujt do. Dhe për riskun e vetë kujdeset po vetë.

Prandaj për sa më sipër, ashtu natyrshëm lindin pyetjet:
– Po shtetin kush e monitoron?
– Po shtetin kush e heton?
– Po shtetin kush e ndëshkon?

Kjo në ditë të mira dhe të vështira.
Na duhen dhe ata gazetarët investigativë.

Dhe për një hop të duket sikur ato serialet e gjata, shteti sikur luan filmin “The Transporters”, por që se dimë tek cila seri kemi arritur. Pa deklaruar dhe kostot madje.

Ndoshta jo të gjitha mund të jenë të verteta apo të vërtetueshme nga ne populli hë për hë. Por dhe dyshimi është aftësi sidomos kur arrin të mendosh e llogjikosh, tek e fundit tregon që je zgjuar. Ndoshta shumkush do të binte në kontradiktë me vetveten falë mendimit të ndershëm që ka për botën, e do t’i dukej absurde. Por për të gjitha palët meqënëse jemi përballë një qeverie artistike do t’ju kujtoja thënien e të famshmit piktor spanjoll, Picasso:
– Gjithçka që mund të imagjinohet ekziston!
E që një mik i studjuar në Turqi iu përgjigj me thënien: – Mund të ekzistojë dhe ajo që smund të imagjinohet.
I vetmi që më dha përgjigjen e duhur, të shumëpritur nga çdokush. Përgjigje që vetëm një vizionar si ai mund ta jepte. E sot ai është thjesh një nga populli, si unë, si ju, si ne.

Prandaj popull i dashur keni të drejtën të besoni çtë dëshironi, vetëm mos lejoni t’ju shpërqëndrojnë ata lart me simultanen e tyre të shahut. Loja vijon të mbetet e hapur ndërkohë që ajo thënia: – Macja fle minjtë hedhin valle, , referuar dhe epitetit që na kanë vënë, dele, po bëhet:
– Fusin delet në vathë dhe barinjtë hedhin valle!

Mos rri dhe ti! Bëhu dele e zezë, jo e bardhe. Ndryshe do përfundojmë qeleshe në kokat e tyre, tekstile për veshje firmato, apo tapiceri për kolltuqet e tyre, qumesht dhe bulmet për ulkonjat dhe ujqërit e tyre. Gjithçka për mirëqenien e tyre. Boll më! Duhet të dalim nga ferma e kafshëve! Sepse nuk jemi të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb