TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit dhe Caritasi shqiptar firmosën një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e kapaciteteve të strukturave policore dhe përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së viktimave apo viktimave të mundshme të trafikimit në Shqipëri, në pikën kufitare të Muriqanit dhe Portin e Durrësit, me paketa të ndihmës emergjente.

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme marrëveshja u firmos nga Koordinatori Kombëtar Antitrafik, njëkohësisht zv/ministrja Elona Gjebrea, për Policinë e Shtetit nga Drejtori Haki Çako, ndërsa për Caritasin shqiptar nga Drejtori Kombëtar, Albert Nikolla.

Marrëveshja shtrihet në 2 vitet në vijim dhe synon bashkëpunimin e mëtejshëm në fuqizimin e kapaciteteve të Policisë shqiptare në të gjitha nivelet nëpërmjet trajnimeve, si dhe përmirësimin e kushteve të dhomës së intervistimit dhe akomodimit për viktimat apo viktimat e mundshme të trafikimit në pikat kufitare.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea dha se De fakto zbatimi i marrëveshjes ka filluar prej kohësh dhe tashmë është konkretizuar me këtë marrëveshje de juro.

“E vlerësojmë shumë të gjithë mbështetjen, edhe të Ambasadës Amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë Caritasit shqiptar për të realizuar këtë projekt.

Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Trafikim e Qenieve Njerëzore ka punuar tashmë prej gati një viti me Caritasin Shqiptar, ka punuar edhe në të kaluarën por tashmë jemi shumë të fokusuar. Qëllimi tashmë është i qartë, një bashkëpunim i vazhdueshëm mes palëve, që të forcojmë kapacitetet. Ky do të jetë një model i mirë suksesi që këtë ne ta shtrijmë në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo marrëveshje nuk ka efekte financiare për buxhetin e Shtetit, Caritas-i shqiptar na ka mbështetur me shpenzimet”, tha Gjebrea.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se “ne jemi duke firmosur një akt-marrëveshje sot për pjesën humane ose për pjesën shoqërore që do të duhet të trajtojnë viktimat e trafikimit, pasi nuk do të mjaftohemi vetëm me ndëshkimin e pjesës agresive ose të organizatave kriminale, por duhet të jemi të vëmendshëm në aspektin e trajtimit dhe të rintegrimit të pjesës të dëmtuar, ose të fokusit më të rëndësishëm që duhet të kemi në vëmendje”.

Albert Nikolla, Drejtor i Caritasit shqiptar u shpreh se ky projekt na jep shumë hapësira për punë.

“Shpesh herë ky projekt do t’i tejkalojë edhe kornizat për të shkuar tek personi ku ai është në nevojë, ku ai është në një moment dhimbje, ku ai është në një moment dramatik të jetës së tij, prandaj dera e Caritas-it do të jetë e hapur për çdo nevojë që do të ketë sidomos kur bëhet fjalë për raste të tilla, të luftës së trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Nikolla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb