DIBER- Policia e Dibrës ka goditur një rast të trafikimit të drogave të forta, duke arrestuar katër persona. Ndërsa në Pogradec është arrestuar një tjetër i ri, të cilit iu gjetën 14 doza me kokainë.

Siç mësohet nga burime policore nga qarku Dibër, Policia e këtij rrethi ka arrestuar katër persona të cilët kishin në posedim 9 doza, me nga 8.4 gram lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Gjatë operacionit është sekuestruar dhe mjeti me të cilin ata po lëviznin, një opel me targë DR 0641 E.

Nga ana e Specialistëve të Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Renato Lazri, 18 vjeç; Vilson Lleshi, 20 vjeç; Denis Gjikola, 19 vjeç; dhe Bledjon Lila, 19 vjeç, banues në Bulqizë.

Prangosja e katër djemve u realizua në vendin e quajtur lokal “Zerja”, që ndodhet në dalje të qytetit të Peshkopisë, ku është ndaluar nga shërbimet e policisë automjeti tip “OPEL” me targë DR 0641 E që drejtohej nga shtetasi Renato Lazri, në të cilin ndodheshin shtetasit Vilson Lleshi, Denis Gjikola e Bledjon Lila.

Nga kontrolli i kryer rezultoi se brenda në automjet, u gjet një qese plastike brenda së cilës kishte një sasi lënde me ngjyrë të bardhë, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë totale prej 8.4 gramë, që u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale bashkë me automjetin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.

POGRADEC, KAPET ME 14 DOZA KOKAINE 32-VJECARI
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta. Policia e Pogradecit ka sekuestruar 14 doza, me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, si dhe është vënë në pranga poseduesi i tyre.

Nga Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Altin Papa, 32 vjeç, banues në Pogradec.

Arrestimi i tij u bë pasi, dje në vendin e quajtur “Kthesa e Linit”, në aksin rrugor Qafëthanë – Pogradec, gjatë kontrollit personal të ushtruar, këtij shtetasi, në pikën e kontrollit të ngritur nga Policia, iu gjetën dhe sekuestruan 14 doza, me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, të cilat dyshohet se do t’i shpërndante në qytetin e Pogradecit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: