TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 74 vjet burgim në total për 5 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kalonin shtetas shqiptarë në mënyrë klandestina nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda i konsideron fajtor për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, dhe kërkon dënimin, për të pandehurit, si më poshtë:

1. Nertil Previzi, të dënohet me 16 vjet burgim

2. Fatos Fasko, të dënohet me 16 vjet burgim

3. Enver Karaj, të dënohet me 15 vjet burgim

4. Fatmir Bakalli, të dënohet me 14 vjet burgim

5. Nikoll Kolaj, të dënohet me 13 vjet burgim

Sipas të dhënave të administruara në dosje rezulton se procedimi penal në ngarkim të të pandehurve ka filluar pas marrjes së informacionit për kryerje vepre penale nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas informacionit të marrë shohim se veprimtaria e të pandehurve shtrihet që në muajin dhjetor të vitit 2013 e në vijim, dhe konsiston në organizimin e emigracionit të paligjllshëm, me destinacion SHBA-në.

Personat që nisen me drejtim ShBA-në janë nga zona të ndryshme të Shqipërisë por kryesisht nga zona e Shkodrës dhe e Malësisë së Madhe. Me qëllim gjetjen e personave dhe krijimin e kontakteve me ta rezultojnë të pasqyruara udhëtimet e të pandehurve në drejtim të qyteteve të ndryshme, konkretisht përmendim udhëtimet e të pandehurit Fatmir Bakalli për të realizuar takime me bashkëpuntorët e tij, të cilët sigurojnë klientelën.

E gjithë lëvizja e personave kryhet nëpërmjet dhënies së një pagese, e cila varion nga 24 mijë $ deri në 25 mijë $.

Për realzimin e veprimeve aktive i pandehuri Fatmir Bakalli bashkëpunon me të padehurin Enver Karaj, me të cilin ka njohje të mëparëshmë, me të pandehurin Fatos Fasko, me të pandehurin Nertil Pervizi, Nikoll Kolaj si dhe me shtetas të tjerë.

Për realizimin e veprimtarisë kriminale nënvizojmë përfshijen në të të pandehurit Nertil Pervizi, i cili nuk është shtetas shqiptar, por shtetas maqedonas (me kombësi shqiptare). I pandehuri Nertil Pervizi realizon pritjen e personave me destinacion SHBA-në në Maqedoni ose Bullgari. Personave që nisen nga Shqipëria, iu sigurohet paisja me dokumente identifikimi bullgare të falsifikuara.

Klandestinët e pajisur me këtë dokumentacion, udhëtojnë, kryesisht me autobuz, për në Itali dhe më pas për në Spanje. Nga Spanja ata udhëtojnë me avion për në Meksikë, ku paraqiten me dokumentet bullgare. Nga kryeqyteti i Meksikës, Mexico ose nga qyteti Kankunit (Cancun), klandëstinët udhëtojnë me autobuz për në vendin nga ku do të kalojnë ilegalisht kufirin për në SHBA me ndihmën e lidhjeve meksikane të të pandehurit Fatos Fasko, i cili eshte i paisur me pasaporte Meksikane.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: