Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me strukturat për zgjedhjet lokale.

Gjatë këtij takimi ai është shprehur se vendi aktualisht ndodhet në gjendje shoku dhe se nuk respektohen liritë dhe të drejtat e individit.

Pjesë nga fjala:

Shqipëria është në një gjendje shoku social, politik, shoqëror dhe ekonomik. Nuk ka respektim të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, nuk respektohet e drejta e pronës. Krimi i organizuar është kthyer tashmë në një rrezik, në një shqetësim për shoqërinë shqiptare, por edhe për Europën dhe për Amerikën. Trafiku i drogës është bërë dominant. Politikat ekonomike janë politika boshe. Kemi taksat më të larta në rajon, kemi mungesë të lirisë së tregut, është rrënuar ekonomia dhe Shqipëria është sot vendi më i varfër në Europë dhe papunësia është më e larta në rajon. Situata është shumë dëshpëruese dhe kjo ka krijuar një mjerim të madh, mjerim njerëzor dhe për më tepër poshtërim të dinjitetit personal.  Janë mbi 740 mijë të rinj dhe të reja, mjekë, arsimtarë, profesionistë, të cilët janë larguar nga Shqipëria, dhe kjo është më shumë se kriminale. Kriminale për faktin se kryeministri e pranon që kjo është një gjë normale, kriminale për faktin se qeveria jo vetëm nuk e ndalon, por qëllimisht e stimulon atë, sepse kështu largon pjesën më kundërshtare të saj dhe më mendimtare të shoqërisë shqiptare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Atrofizimi politik, vjetërimi i politikës, po shkakton dhe atrofizimin dhe plakjen e shoqërisë me pasoja të pariparueshme politike, sociale dhe ekonomike. Kjo po e shkatërron shoqërinë dhe po e bën atë të pamundur të reagojë, të pamundur të prodhojë, të pamundur të vlerësojë atë cka i takon cdo individi, sidomos vlerën e jetës dhe vlerën e lirisë pikërisht këtu në Shqipëri.  Së pari, duhet të krijojë identitetin e saj politik dhe programor. Nuk mundet opozita të jetë opozita e emrave, por duhet të jetë opozita e ideve, të cilat qasen, pranohen, zhvillohen bashkë me shqiptarët. Së dyti duhet të ketë një fizionomi të qartë për qeverisjen që do të ofrojë, të kualiteteve të reja, nga shqiptarët, me shqiptarët dhe për shqiptarët. Ne e kemi mundësinë për t`i dhënë shanse dhe mundësi të rinjve dhe të rejave, për t`u bërë heronjtë dhe liderët e vërtetë.

Opozita duhet patjetër të ndërtojë polin moral për atë që është më e mira, vlera më e mirë e shoqërisë shqiptare.

Ne duhet patjetër t`i tregojmë cdo qytetari dhe të punojmë bashkë me ta, se shteti është i qytetarëve. Ai duhet të jetë kushtetues dhe shumë më i rëndësishëm sesa pushteti politik që mund të kërkojnë disa në opozitë. Opozita po ashtu duhet të bashkojë të gjithë historinë e saj, të jetë krenare për atë që ka bërë, por mbi të gjitha të dijë të vlerësojë edhe kontributet e vjetra, duhet të kapitalizojë sic thashë më parë, arritjet që kemi në NATO, liberalizimin e vizave, pavarësinë e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor dhe energjitik të këtij vendi. Të vlerësojë veprimet që kemi bërë të drejta dhe të përpiqet të shmangë gabimet që kemi bërë.

Të gjithë ne së bashku, brenda duhet të mbajmë barrën si opozitarë, të bashkojmë shqiptarët duke i ofruar zgjidhjet, idetë dhe vizionin dhe duke bërë pjesë të veprimit tonë politik, të rinj dhe të reja në mbarë Shqipërinë, por dhe një netëork të fuqishëm në Kanada, në Britani, në Europë dhe SHBA.

E thashë edhe më parë, atë besim që na dhanë në 1990-ën, të rinj të Berishës dhe ne të tjerëve, duhet t`jua kthejmë sot atyre të rinjve për të qenë pjesë e politikës dhe të jenë ata që qeverisin dhe ne patjetër vetëm t`i mbështesim.

Të rinj që cmojnë dinjitetin, të rinj që cmojnë atdhedashurinë, të rinj që cmojnë familjen, cmojnë besimin, vlerësojnë se nuk ka mbi ta njerëz absolutë, por ka vetëm një autoritet mbi ta që është Zoti, që i ka dhënë jetën për t`a jetuar, i ka dhënë lirinë për t`a ndërtuar jetën e tyre, i ka falur cdo gjë për t`a bërë mundësisht Shqipërinë Europiane. Ne do të mbështesim si Parti Republikane një kandidat të vetëm. Pavarësisht nga kompozioni në opozitë, ne nuk do të nxjerrim kandidatë për t`i bërë sfidë kandidatit kryesor. Cdo kandidat që do të dilte në krahun e djathtë, përvec një kandidati, do të ishte kontribut për pushtetin e Edi Ramës dhe këtë situatë katastrofë në Shqipëri.

Prandaj do të ketë një kandidat të vetëm.

Përsa i përket kandidimit si Parti Republikane, do të dalim me listat tona si Parti Republikane për të kandiduar. Ne duhet partjetër të ndërtojmë një sistem gare brenda nesh. Nuk ka rëndësi radhitja. Këshilltar do të jetë ai që merr më shumë vota. Është provuar në Shkodër dhe në vende të tjera, kur është aplikuar kjo me ndershmëri, ne kemi pasur rezultatin më të lartë, dhe kemi pasur këshilltarë ata që kanë pasur mbështetjen e qytetarëve. Pra le t`a bëjmë këtë ne si republikanë, pavarësisht se e bëjnë apo nuk e bëjnë subjektet e tjera politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: