TIRANE Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ndan në mënyrë të barabartë përgjegjësinë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës sa i takon trafikut të lëndëve narkotike.

Duke folur në “Top Story”, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se heshtja e Ilir Metës gjatë bashkëqeverisjes me Edi Ramën e bën atë po aq përgjegjës sa Kryeministri.

“Ilir Meta ka përgjegjësinë e tij dhe në momentin që sheh që gjërat nuk janë ashtu siç duhet… ai që në momentin që ka vënë re çështjen e drogës duhej të kishte reaguar. Ai është po aq fajtor sa Edi Rama, sepse ka mbyllur sytë, ka mbyllur edhe gojën”, u shpreh ajo.

Heshtjen e Metës, Monika Kryemadhi e lidhi me nevojën që politika të kalonte reformën në drejtësi.

“Ai tërhiqte gjithmonë vëmendjen tek reforma në drejtësi”, u shpreh kryetarja e LSI-së.

“Edi Rama gaboi. Tha sot se Saimir Tahiri është një dru i shtrembër në stivën e druve. Nuk është e vërtetë. Saimir Tahiri ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i tij. Edi Rama nuk duhet të flakte Saimir Tahirin sepse e ka mbrojtur si ministrin më të suksesshëm”, vijoi Kryemadhi.

Sipas kryetares së LSI-së të gjitha këto minojnë procesin e vettingut. “Çfarë besimi kam unë tek Edi Rama për vettingun sot?”, thotë ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb