Policia e Tiranës vijon operacionin e koduar “Parku”, duke arrestuar një tjetër anëtar të trafikut të drogës.

Në pranga ka rënë shtetasi Rei Demneri, 21 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, duke e çuar në 13 numrin e të arrestuarve.

Sipas uniformave blu, ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb