Zbardhen detaje nga goditja e grupit kriminal italo-shqiptar për mashtrimin me shëndetësinë në Itali, ku të përfshirë ishin edhe mjekë.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije për gazetaren e “BalkanWeb”, Klodiana Lala, se janë kontrolluar zyrat dhe banesat e disa mjekëve shqiptarë, si Vladimir Peto, Edvin Prifti dhe Ilir Broqja.

Gazetarja Lala raporton për “BalkanWeb” se në total janë ushtruar 11 urdhër kontrolle, mes të cilave edhe banesat e dy biznesmenëve. Prokuroria thekson se ka gjetur prova për përfshirjen e mjekëve shqiptarë në skemën e mashtrimit me ilaçet, por ende nuk ka të arrestuar në Shqipëri.

Mediet italiane kanë publikuar edhe pamjet e aksionit, ku duken të akuzuarit, teksa marrin çanta me ilaçe apo numërojnë dhe shkëmbejnë tufat me para.

Trafikantët e ilaçeve dhe ‘bluzat e bardha’, që falsifikuan dokumentet për shërbim shëndetësor në Itali ranë në kurth nga autoritetet italiane.

“Hetimi dokumentoi lëshimin e çertifikatave të rreme mjekësore që vërtetojnë nevojën e shtetasve shqiptarë për trajtim urgjent mjekësor jetëshpëtues në Itali, gjë që i lejoi të hyjnë në vend dhe të marrin shërbime mjekësore dhe farmaceutike në kundërshtim me ligjin. Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale”, tha më herët SPAK.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb