Një anije me emigrantë është mbytur natën mes së dielës dhe të hënës, një milje nga brigjet e Lampedusas. Rojet bregdetare dhe Guardia di Finanza kanë nxjerrë deri tani nga deti kufomat e trembëdhjetë grave.

Ndërkohë janë arritur të shpëtohen 22 të mbijetuar dhe janë dërguar në port. Në bordin e anijes ishin rreth 50 persona. Mes të zhdukurve janë edhe 8 fëmijë, ndërsa Prokuroria e Agrigento ka hapur një hetim për rastin.

“Në mesin e të zhdukurve është edhe motra ime me fëmijën e saj tetë muajsh”, tha një i mbijetuar në Imbriacola.

Kur anijet e patrullës së Rojës Bregdetare dhe roja e financës shkuan për të tërhequr emigrantët, të gjithë u zhvendosën në njërën anë dhe varka u përmbys në det.
Siç është raportuar nga rojet bregdetare në një deklaratë, “rreth orës 00:15 anija patrulluese vuri varkën e mbingarkuar rreth 6 milje larg ishullit të Lampedusas dhe pas disa minutash mbërriti edhe njësia e Guardia di Finanza. Operacionet e shpëtimit, me kushte të motit të pafavorshëm me det të trazuar dhe zhvendosja e papritur e emigrantëve bëri që anija të përmbyset”.

Përveç njësive të rojës bregdetare dhe policisë financiare, një helikopter shpëtimi i “Fiamme Gialle” që fluturonte mbi zonën e katastrofës, më pak se një milje nga bregu, është përfshirë në operacionet e shpëtimit.

Prokurori i Agrigento hapi një hetim për mbytjen e anijes. Kryeprokurori Luigi Patronaggio i ka dërguar Lampedusas një zëvendës i cili do të ndjekë nga afër zhvillimet.
“Mjaft masakra në det. Mjaf më së mbledhuri kufoma. Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sehir zbarkimin e kufomave të njerëzve të varfër që ndjekin ëndrrën për të përmirësuar jetën e tyre. Politika duhet të veprojë”, deklaroi kryebashkiaku i Lampedusas dhe Linosas Totò Martello pas mbytjes së anijes afër brigjeve të ishullit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb