Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në vendpushimin turistik të Marmoladas në alpet italiane, ku gjashtë alpinistë kanë mbetur të vdekur pas shembjes së një masivi akulli që është shkrirë dhe është shkëputur rishtazi prej faqes së malit.

Sipas asaj që thonë ekipet e shpëtimit, kufomat nuk janë nxjerrë ende nga masa e akullit, pasi janë shtyrë poshtë majës së malit ku po bënin ngjitjen dhe është tepër e vështirë ndërhyrja.

Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se të plagosur kanë mbetur edhe tetë persona të tjerë, përfshirë një që është në gjendje të rëndë, ndërsa ka edhe disa të zhdukur.

Burrat e “Alpine Rescue” janë në punë për të patrulluar zonën, me ndihmën e pesë helikopterëve nga Veneto dhe Trentino. Të plagosurit janë shtruar në shumë spitale.

Shkëputja e masivit të akullit ndodhi në seksionin midis “Pian dei Fiaçoni” dhe “Punta Penia”, përgjatë rrugës normale që të çon në majë të malit.

“Një gjëmimë, pastaj orteku. Dëgjuam një zhurmë të madhe, tipike për rrëshqitje dheu, më pas pamë një lloj orteku të përbërë nga bora dhe akulli që zbriste me shpejtësi të madhe dhe prej andej kuptova se kishte ndodhur diçka e rëndë. Me dylbi nga këtu shihet thyerja e akullit”, tha një nga menaxherët e vendpushimit Castiglioni Marmolada, dëshmitar i të gjithë skenës.

Ndërkohë, grupe njerëzish janë shoqëruar në rrjedhën e poshtme nga shpëtimtarët pas shembjes së masivit të akullit.

Situata është e rrezikshme sepse ekziston rreziku i shembjeve të mëtejshme, ndërsa një helikopter është i pajisur me zilen Reço, një pajisje që të lejon të kërkosh këdo në vështirësi në zona të hapura.

Këshilltari për Mbrojtjen Civile të Rajonit Veneto, Gianpaolo Bottacin, shpjegoi se “për palën Veneto, 2 helikopterët e Suem 118 të Belluno janë tashmë në funksion.

“Edhe një nga helikopterët e Mbrojtjes Civile të Rajonit të Venetos për të transportuar në vend ekipet e shpëtimtarëve malorë me njësi qensh. Janë aktivizuar të gjitha ekipet e shpëtimit malor në zonë”, konfirmoi Bottacini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb