TIRANE-Ai ishte vetëm 17 vjeç dhe kishte shkuar në punë të mundësonte nxjerrjen e parave që i duheshin për t’u veshur dhe të blinte librat për në maturë. Me sa duket ka qenë i vetëdijshëm se rroga e të atit si punonjës policie ishte e pamundur të plotësonte kërkesat e tij për në vitin e fundit të shkollës. Por nuk ka qenë e thënë. Fati i zi e ka goditur në kulmin e moshës. Ardit Gjoklaj, me origjinë nga Tropoja, është gjendur i pajetë në plehrat e Sharrës, në landfilld, ndërsa mësohet se ka qenë i punësuar prej pak kohësh në sektorin e seleksionimit. Djali është gjetur me dëmtime të shumta në të gjithë trupin, ndërsa dyshohet se ka qenë traktori që punon në atë zonë të landfilldit që i ka marrë jetën djalit. Dyshimet të çojnë te një akt makabër, pasi i riu jo vetëm është masakruar me mjetin e rëndë, por, në momentin kur është gjetur, trupi i tij ka qenë i mbuluar me plehra. Familja Gjoklaj nisi kërkimet që në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa Gegë Gjoklaj ka mbërritur herët ditën e djeshme në Komisariatin Nr. 6 duke iu kërkuar ndihmë kolegëve të tij. Të gjithë bashkë kanë nisur kërkimet, por pa i shkuar mendja askujt se Arditi ishte i masakruar poshtë plehrave të Sharrës.

Gjetja e trupit

Denoncimi për zhdukjen pa gjurmë të Ardit Gjoklajt, policia mësohet se e ka bërë në orët e para të së djeshmes. Kërkimet ka nisur në disa drejtime ndërsa një grup punonjësish janë mobilizuar në mbetjet e Sharrës orëve të mesditës. Ka qenë pikërisht kërkimi në landfilld që ka bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë dhe më pas policia e ka dërguar për në morgun e spitalit. Autopsia ka nxjerrë shkaqet dhe kohën e vdekjes së 17-vjeçarit, fëmija i dytë i një familjeje punonjësi policie, më saktë e dy punonjësve të policisë, pasi xhaxhai i tij është edhe “Dëshmor i Atdheut” pasi ka rënë në krye të detyrës në kohën kur ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe kundërshtoi maskat në Tropojë 14 vite më parë, duke u përballur me një breshëri kallashnikovi, kur edhe humbi jetën. Trupi i djalit mësohet se është i dëmtuar krejtësisht pasi ai është goditur me kovën e traktorit që bën zhvendosjen e plehrave. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet dhe kanë bërë shoqërimin e 7 personave, gjithë skuadrës që ka qenë në punë në atë turn dhe që punonte në atë sektor. Njëkohësisht bëhet me dije se po punohet intensivisht për të hetuar edhe një mori shkaqesh të tjera, ku sipas të dhënave do të verifikohet rregullorja e punësimit të të miturit në atë sektor dhe vend mjaft të rrezikshëm për jetën, ashtu siç edhe ndodhi.

Hetimet

Zyrtarisht policia bën me dije se kanë gjetur të gjithë personat që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, i kanë marrë në pyetje dhe 7 prej tyre janë të shoqëruar në ambientet policore. Ata janë marrë disa herë në pyetje, ndërsa janë bërë inspektimet në vendin e ngjarjes dhe në mjetin që dyshohet se i ka marrë jetën të riut. Policia përjashton vrasjen me dashje të adoleshentit, ndërsa bën të ditur se po hetohet në pistën e vrasjes nga pakujdesia. Megjithatë policia saktëson se ka dyshime për braktisje të kufomës me dashje në vendin ku u gjet trupi për të humbur gjurmët, por asnjë prej personave që janë marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nuk kanë pranuar një fakt të tillë. Megjithatë vijojnë hetimet dhe do të jenë edhe disa persona të tjerë që do të pyetën në lidhje me këtë ngjarje horror.

(Shekulli/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb