Një nga familjet që është goditur shumë nga tërmeti i djeshëm është edhe familja Cara në Thumanë. Sulë Cara i afërm tha për gazetarin Enver Doçi se ka pasur dy familje në pallatin e shembur, njëra në katin e parë dhe tjetra në të gjashtin. Ai u shpreh se ka ende shpresë, pasi janë 4 persona nën rrënoja por se dhimbja është e madhe.

“Tek kjo fatkeqësi e djeshme, në pallatin që u shemb nga ai tërmet i tmerrshëm kam pasur 9 të afërm. Në katin e parë ka qenë nusja e xhaxhait vetë e treta me vajzën dhe mbesën, ndërsa në katin e gjashtë kemi pasur Albertin vet i gjashtë dhe e fejuara e djalit që kishte ardhur nga Korça për të takuar të fejuarin dhe prindërit e tij. Kishte ardhur para dy ditësh. Ishalla kemi ndonjë lajm që mund të na gëzojë. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme e njësive që kanë marrë pjesë në këto operacione, por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë solidariteti i komunitetit të Thumanës, i madh e i vogël, me një varfëri por me solidaritet. Po bëjmë qëndresë, më e vështira do jetë nesër për ceremoninë mortore kur para njerëzve të dashur do jenë jo pak por 7 arkivolë. Dhimbja është jo vetëm për familjen Cara por të gjithë prekurit. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e dashur.

Nën rrënoja janë akoma 4 pjesëtarë të familjes Cara. Tre i kemi në morgun e Lezhës, 2 në morgun e Tiranës. Fatmira, nusja e Albertit është në reanimacionin e Lezhës. Alberti është në spitalin ushtarak, kemi dhe Linditën, vajza e vajzës së axhës që ka shpëtuar”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb