Një aeroplan ukrainas u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Teherani të mërkurën, duke shpërthyer në flakë dhe duke lënë të vdekur të 176 njerëzit në bord. Avioni Boeing 737 u rrëzua disa orë pasi Irani goditi me raketa bazat që strehojnë forcat e SHBA në Irak, por zyrtarët thanë se spekulimet për shkaqet e rrëzimit janë të parakohshme.

Kompania pronare, Ukraine International Airlines, tha se aeroplanit i ishte bërë shërbim teknik vetëm dy ditë më parë. Mbetjet nga rrëzimi i avionit, përfshirë këpucë dhe rroba, ishin shpërndarë në një fushë në jug-perëndim të kryeqytetit iranian, ku punëtorët e kërkimit të pajisur me maska kishin vendosur në tokë me dhjetëra qese të zeza plastike me trupat e viktimave brenda.

Midis viktimave ishin 82 iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, tre gjermanë dhe tre britanikë, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës Vadym Prystaiko. Lista e udhëtarëve e vënë në dispozicion nga kompania ajrore tregon se mes të vdekurve kishte pjesëtarë të së njëjtës familje si dhe fëmijë. Shumë pasagjerë ishin nën 35 vjeç. Në mesin e viktimave kanadeze.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ai ishte “i tronditur dhe i trishtuar” dhe shtoi:” Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar se rrëzimi do të hetohet plotësisht, dhe se pyetjet e Kanadasë do të marrin përgjigje”. Ky është incidenti i parë fatal i kompanisë Ukraine International Airlines, me qendër në Kiev. Kompania tha se po bën gjithçka të mundur për të përcaktuar shkakun.

Ukraina po dërgon një ekip ekspertësh në Iran për të hetuar rrëzimin, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në kryeqytetin ukrainas. Ai tha se kishte udhëzuar prokurorin e përgjithshëm të fillojë procedurat penale. Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për bashkëpunim të plotë me çdo hetim në lidhje me shkakun e rrëzimit dhe janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës të gjithë ndihmën e mundshme, shkruan Voa.

Sipas rregullave ndërkombëtare, përgjegjësia për hetimin e rrëzimit bie mbi Iranin dhe televizioni shtetëror iranian tha se të dyja kutitë e zeza të avionit janë gjetur. Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr citon kreun e organizatës së aviacionit civil të Iranit, sipas të cilit nuk është e qartë se në cilin vend do t’i dërgonte Irani kutitë e zeza për të analizuar të dhënat, por nuk do t’ia jepte ato kompanisë Boeing.

Në një video amatore, e publikuar nga agjencitë iraniane të lajmeve dhe që thuhej se tregonte rrëzimin e avionit, dukeshin imazhet e një shkëndije në qiellin e errët që ishte duke zbritur. Ajo shoqërohej me komentet se avioni ishte “në flakë” dhe më pas dukej një shkëndijë më e shndritshme që godiste tokën.

Përpara rrëzimit, Irani kishte hedhur raketa në bazat që strehonin forcat e SHBA në Irak në shenjë hakmarrjeje për sulmin amerikan me dron javën e kaluar që vrau një komandant ushtarak iranian. Disa kompani ajrore anuluan fluturimet në Iran dhe Irak. Ekspertët e sigurisë thonë se aksidentet me avionë rrallë kanë një shkak të vetëm dhe se zakonisht duhen muaj të tërë hetimesh për të kuptuar të gjithë faktorët që fshihen pas tyre.

Në Paris, prodhuesi i motorëve të aeroplanit, firma franko-amerikane CFM, në pronësi të General Electric dhe Safran të Francës, tha se spekulimet në lidhje me shkaqet ishin të parakohshme. Televizioni iranian tha se shkaku ishin probleme teknike të paspecifikuara, ndërsa mediat iraniane cituan një zyrtar të aviacionit vendas të thoshte se piloti nuk shpalli urgjencë.

Avioni që u rrëzua ishte një Boeing 737-800NG që ishte nisur për në Kiev. Avioni ishte prodhuar para tre vjetëve. Ky lloj avioni është një nga modelet më të përdorur në botë me një rekord të mirë sigurie dhe nuk ka softuerin që e implikon Boeing-un me rrëzimin e avionëve 737 MAX. Kompania e ka hequr nga përdorimi avionin e tipit 737 MAX, pas dy rrëzimeve që lanë 346 të vdekur.

Avionët modernë janë të programuar dhe certifikuar për të përballuar një mosfunksionim të motorit menjëherë pas ngritjes dhe për të fluturuar për një kohë të gjatë me një motor. Por një motor difektoz që lëshon copëza metalike mund të shkaktojë dëme në sistemet e tjera të avionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb