LIBRAZHD

Lule dhe një memorial me emrat e viktimave, plot 41 vjet pas asaj që librazhdasit dhe gjithë shqiptarët e njohin si tragjedia e Spatharit.

Në përkujtim të viktimave të 15 janarit 1979 familjarët e të afërmit e viktimave gjatë të shtunës kanë bërë homazhe në nderim të 7 personave që humbën jetën, ku 7 prej tyre mbijetuan, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin me fat që nuk ndodheshin duke kaluar mbi urën mbi lumin Shkumbin që u shkëput nga të dyja brigjet duke shkaktuar një tragjedi me shumë viktima e të plagosur.

Homazheve u janë bashkuar edhe banorë të zonës ndërsa ceremonia përkujtimore u zhvillua pikërisht në vendin ku pasditen e 15 janarit 1979 Ura e Spatharit u këput sikur të mbahej me fije spangoje e jo me kavo çeliku.

Ngjarja ndodhi në një muaj i acartë, ku temperaturat shënonin minus 10 gradë. Kjo është një nga tragjeditë ku humbën jetën gjashtë vajza dhe një djalë të grup moshës 15-18 vjeç. Lumi Shkumbin atë mes dimri ishte me prurje të pazakonta dhe tejet i rrëmbyeshëm. 150 të rinj të fshatrave të këtij rrethi merrnin pjesë në aksion e do të taraconin brigjet e luginës së Shkumbinit, përgjatë shtrirjes së fshatit Spathar. Kalimi në anën tjetër të lumit për të shkuar në punë, bëhej nëpërmjet një ure të varur mjaft të rrezikshme.

Ky ishte vendkalim, jo vetëm për vullnetarët, por për të gjithë banorët e zonës. Në urën pasarelë aksionistët kalonin grupe­grupe. Një, ndër grupet me 15 veta do të kishte fatin tragjik. Litarët e ndryshkur prej hekuri të urës do të këputeshin në mes. Mbi ujë do të binin bashkë me veglat e punës në krah, plot 15 të rinj aksionistë. Vetëm britmat e të rinjve në momentin e rënies dhe lufta për mbijetesë mbi valë do të ishte “alarmi” i vetëm tronditës. Në pak minuta thirrjet e tyre për ndihmë u shuan mes valëve të acarta. Imazhet e tyre dukeshin sikur fluturonin mbi dallgë. U hodh kush u hodh e shpëtoi kush shpëtoi. Fati deshi, që gjysma e grupit të shpëtonte.
Familjarët e viktimave tregojnë me lot në sy historinë e kësaj tragjedie. Një prej këtyre viktimave u gjend pas 32 ditësh. Ndërkaq kryetari i bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra duke folur para të pranishmëve në ceremoninë e vendosjes së memorialit kushtuar “Tragjedisë së Spatharit” kërkoi ndjesë për lënien në harresë të kësaj ngjarje mjaft të dhimbshme. Viktimave iu akordua gjatë një ceremonie në Pallatin e Kulturës, titulli “Qytetar Nderi” i Librazhdit me motivacionin “Librazhdi nuk i harron bijtë e tij që kanë rënë në krye të detyrës”.

Emrat e atyre që humbën në rrjedhat e lumit Shkumbin:
1­. Flutura Allushi 16 vjeç nga Dorëzi. Gjetur pas 32 ditësh në Labinot.
(Pas një jave në vendin e saj vajti i vëllai në aksion, 26-vjeçari, Gani Allushi)
2­. Bule Përrenja, Babje
3.­ Mereme Brahja, Dorëz
4.­ Fatime Guga, Lunik
5.­ Naim Elezi, Stravaj
6­. Refie Ceni, Bërzeshtë
7.­ Ruzhdie Çerri, Farret

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb