*Nuk kishte lekë të paguante energjinë, jetimi nga Tropoja digjet nga qiriu që përdorte për ndriçim

*Hektor Rizvani në gjendje kritike për jetën kërkon ndihmë

NGA >ARMIR MEHAJ, TROPOJË
Një 19 vjeçar nga Tropoja ndodhet në gjendje kritike për jetën në Repartin e Djegie Plastikës në QSUT në Tiranë, pas flakëve që i përfshinë banesën mesnatën e së enjtës në Tropojë.
Tragjedia e të riut Hektor Rizvanit e pati zanafillën nga ndërprerja e energjisë elektrike në banesën ku 19-vjecari jetonte i vetëm pas vdekjes së prindërve.
Prej kohësh i riu jetonte mes varfërisë dhe mjerimit, pjellë e mungesës së një pune.


Pamundësia për të paguar faturat e energjisë elektrike, kishte bërë që 19 vjeçari të ndriçonte dhomëzën ku jetonte përmes qiriut. Por mesnata e të enjtes duket se ka rezultuar fatale për Hektorin, të cilin e kishte zënë gjumi pa fikur qiriun, i cili në momentin e që po mbaronte flaken e fundi e ka percjelle tek tavolinës ku ishte ishte vendosur. Kaq mjaftoi dhe banesa u përfshi nga flakët ndërsa i riu ndodhej në gjumë.
Kanë qënë komshinjtë të cilët kanë dëgjuar britmat dridhëruese të 19 vjeçarit ata që kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë. Hektori nxirret nga flakët me djegie të rënda në gjymtyrë e trup.

Gjendja e vështirë e djaloshit bëri që bluzat e bardha të qytetit të Bajram Currit të kërkonin ndihmën e Tiranës ku u bë dhe transporti i të riut.
Hektor Rizvani, i cili gjithë jetën e tij është përballur me sfida e vështirësi si pasoje e vdekjes së prindërve dhe varfërisë aktualisht ndodhet ne Reanimacionin e Repartit të Djegive në Spitalin “Nënë Tereza” ku po lufton për jetë a vdekje. Sot më shumë se kurrë, ai ka nevojë për ndihmën e çdo njërit prej shqiptarëve, të përkujdesen për të, të paktën ekonomikisht.

Gjendja e tij shëndetësore kërkon trajtim të specializuar për të kaluar sfidën me të cilën varfëria ia solli që të përballet, por sot më shumë se kurre ai kërkon ndihmë për të vazhduar jetën.

Hektori meriton ndihmë, ai është një i ri që deri tani vetëm ka ëndërruar pa mundur kurrë t’i gëzohet familjes, fëmijërisë e rinisë. Hektori dhe gjendja e tij ekonomike, shpirtërore e se fundmi dhe shëndetësore janë një mesazh i fortë për çdo njerin nga ne, ndaj dhe nuk duhet heshtur.
Nuk duhet kurrsesi t’i dorëzohemi fatit të lig!

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb