Përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait kanë mohuar sot që dy gratë që kanë gjetur vdekjen në një apartament në Tiranë, t’i përkasin sektit të tyre, pasi edhe autoritetet shqiptare kanë dhënë detaje në lidhje me rastin.

Sipas shërbimit mjekoligjor, 30-vjeçarja Anisa Josifi, studente në universitet, , kishte vdekur të paktën 15 muaj para se të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj dhe nëna dhe motra e mbanin të vdekur, duke e mbështjellë me mjete të ndryshme në shtrat, duke pritur “ringjalljen” e saj.

Zhaneta Josifi dhe Anisa Josifi janë viktima të ngjarjes, ndërsa e mbijetuar është Blerta Josifi, që ndodhet në spital, pasi u dërgua me urgjencë atje. Mediat shqiptare kanë shkruar se gratë kanë larguar ushqimin për 40 ditë, duke mos u ushqyer. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në Tiranë tha se në banesën e familjes Josifi, që jetonin me qira, kanë gjetur materiale me përmbajtje fetare.

Që në fillim, mediat shqiptare në internet dhe gazeta print flisnin për faktin se pas vetë-flijimit qëndron Dëshmitarët e Jehovait, por qendra e këtyre të fundit në Tiranë e Athinë ka mohuar gjithçka.

“Ne duam t’ju informojmë zyrtarisht se asnjëra nga dy femrat që kanë kryer vetëvrasje nuk i përket bashkësisë sonë fetare dhe as që kishin lidhje me të. Vetëvrasja nuk është e justifikuar nga feja Dëshmitarët e Jehovait. Mësimet e Biblës bazohen në respektin më të madh të jetës njerëzore dhe askund nuk shihet si zgjidhje vetëvrasja ose që vetëflijimi të shihet si diçka e bekuar nga Zoti.

Bindja jonë e thellë është se Perëndia nuk do i kërkonte kurrë askujt që t’i japë fund jetës, sepse jeta është e shenjtë edhe për Perëndinë”, thuhet në një deklaratë nga Komuniteti Grek i Dëshmitarëve të Jehovait.

Fqinjët e grave folën para mediave lokale për sjelljen e tyre të çuditshme dhe izolimin e tyre në dy vitet e fundit dhe vizitat e disa zonjave të veshura mirë e që ishin si zyrtare. Policia po heton këtë çështje.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb