GJERMANI- Familjeve të personave të vrarë nga aksidenti tragjik ajror në Alpet franceze iu është ofruar menjëherë nga “Lufthansa” një dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh. Linja ajrore gjermane ka ofruar një shumë të tillë për çdo pasagjer që ka humbur jetën në avionin e “Germanwings” të Lufthansës për ndihmë të menjëhershme.

Megjithatë, mediat e huaja bëjnë të ditur se të afërmit mund të përfitojnë miliona euro nëse vërtetojnë se Lufthansa ishte në dijeni për problemet mendore të pilotit të dytë. Policia gjermane ka gjetur gjatë një kontrolli në shtëpinë e pilotit të dytë Andreas Lubitz, disa shënime që mund të luaj një rol të rëndësishëm për çdo padi që mund të ngrenë familjarët. Ndërkaq, gazeta gjermane “Bild” ka bërë të ditur se qendra aero-mjekësore e Lufthansës i ka dhënë hetuesve disa dokumente të brendshme, pasi hetuesit janë shprehur se piloti Lubitz vuante nga depresioni dhe ankthi.

Ndërkaq, Lufthansa që zotëron edhe “Germanwings” ka refuzuar deri më tani të komentojë për shëndetin mendor të pilotit në fjalë. Ndërkohë, mediat e huaja flasin për më shumë fakte të zbardhura nga jeta e pilotit 28-vjeçar, i cili është cilësuar si fajtor për rrëzimin e avionit “Germanwings”.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb