Hetimet për zjarrin tragjik në klubin e natës “Pulse” në Koçan, që mori jetë njerëzish dhe shkaktoi tronditje të thellë në opinionin publik, po zgjerohen dita-ditës. Prokurori publik republikan, Ljupço Kocevski, konfirmoi se deri më tani janë identifikuar si të dyshuar 47 persona fizikë dhe tre juridikë, ndërsa për 19 të dyshuar të rinj janë kërkuar masa sigurie.

Sipas Kocevskit, për katër nga të dyshuarit është kërkuar masë paraburgimi, ndërsa 7 të tjerë mund të përballen me arrest shtëpiak dhe ndalim komunikimi. Për shtatë persona janë propozuar masa parandaluese, ndërkohë që një nga të dyshuarit nuk ndodhet në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Hetimi përfshin një gamë të gjerë personash, nga pronarët e klubit dhe përdoruesit e mjeteve piroteknike, deri tek rojet e sigurisë dhe zyrtarët publikë që kanë neglizhuar detyrat.

“Ndër të dyshuarit janë edhe tre ish-kryetarë komunash dhe tre inspektorë ndërtimorë nga Komuna e Koçanit, të cilët nuk kanë kryer asnjë kontroll edhe pse objekti ishte shndërruar në mënyrë të paligjshme në lokal nate,” u shpreh  ai 

Ai theksoi se edhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është në fokus të hetimeve, pasi tre punonjës të saj dyshohet se për vite me radhë nuk kanë kryer asnjë inspektim apo monitorim të objektit.

Në listën e të dyshuarve janë përfshirë gjithashtu dy sekretarë shteti, një ish-ministër i Ekonomisë, si dhe tre punonjës të Ministrisë së Ekonomisë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Ata akuzohen se i kanë mundësuar klubit të operojë dhe të marrë licenca pavarësisht shkeljeve ligjore.

“Me veprimet ose mosveprimet e tyre, këta persona kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve,” përfundoi Kocevski.

Hetimet për tragjedinë në “Pulse” vijojnë me intensitet, ndërsa priten arrestime të reja dhe masa të tjera ndëshkuese ndaj të përfshirëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: