Tragjedi në familjen Tolaj në Ostren të Bulqizës. Nëna, Rajmonda, bashkë me dy fëmijët, Rudinën 18 vjeçe dhe Fajtonin 14 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesë, ndërsa Merita (vajza e vogël 8 vjeçe) ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Gazetari Enver Doçi në një lidhje telefonike nga vendi i ngjarjes raportoi për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa tragjedia është zbuluar paraditen e sotme. Sipas tij, ka qenë kunata e Rajmondës ajo që zbuluar tragjedinë, pasi kur shkoi t’u hidhte bagëtive për të ngrënë rreth orës 11:30, trokiti në derën e familjes dhe askush nuk iu përgjigj.

Pas tentativave për të hapur derën, ajo njoftoi fqinjët e saj, të cilët me forcë hynë brenda, por u përballën me skenën e rëndë. Doçi pohon se Rajmonda bashkë me dy fëmijët kishin ndërruar jetë në banesë, ndërsa vajza e vogël kishte shenja jete dhe u transportua në spital. Po ashtu gazetari tha se ka dyshime që dhe kjo e fundit mund të ketë ndërruar jetë, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia dhe spitali. Nëna me 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi burri ishte emigrant në Greqi.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb