Grupi i xhirimit të “News 24” është zhvendosur këtë të enjte për në Tetovë, aty, ku mbrëmjen e kaluar u përfshi nga flakët spitali COVID i qytetit, ku të vdekur mbetën 14 persona dhe fatmirësisht, mundën të shpëtoheshin 12 të tjerë.

Në një lidhje live për “News 24”, gazetarja Lorena Kodra, tha se godina e spitalit është e shkrumbuar totalisht, ndërsa përreth saj është vendosur perimetri i sigurisë nëpërmjet shiritave. Gazetarja tregoi se 14 viktimat ende nuk janë identifikuar, e pritet që t’i nënshtrohen analizave të ADN për të përshpejtuar këtë proces.

Gjithashtu sipas gazetares, në spital, veç të sëmurëve ka pasur dhe familjarë që i shoqëronin. Nga të dhënat e deritanishme, mes viktimave nuk ka asnjë mjek. Personat që arritën të shpëtoheshin, janë dërguar për në Spitalin e Shkupit për trajtim të mëtejshëm, kurse thuhet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Burime për gazetaren Kodra bënë të ditur se në mesin e viktimave më i riu është një 25-vjeçar, megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet.

“Jemi zhvendosur në Maqedoninë e Veriut në Tetovë ku mbetën të vdekur 14 pacientë. Tetova ka shpallur tre ditë zie dhe komuna do të japë ndihmë për familjet e prekura. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e menjëhershme, por ajo çka kanë thënë punonjësit, për 5 minuta gjithçka ka qenë në flakë. Punonjësit kanë bërë të pamundurën për izolimin e flakëve, por nxjerrja e trupave ka qenë e vështirë.

12 persona janë nxjerrë të gjallë dhe janë dërguar në Spitalin e Shkupit për trajtim të mëtejshëm. Sipas njoftimit të prokurorisë disa nga viktimat duhet të kenë nevojë për analizat e ADN për identifikimin e tyre. Nuk ka personel mjekësor në mesin e tyre. Aty po merrnin trajtim 20 persona, por mes tyre ka pasur dhe familjarë që shoqëronin të sëmurët. Po punohet për të identifikuar trupat e djegur. Në ambientet e jashtme ka qenë dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Po kryhet punë intensive nga autoritetet për të identifikuar viktimat.

Zjarri është shkaktuar nga rrjedhja e gazit apo shpërthimi i oksigjenit. Burime bëjnë me dije se në mesin e viktimave ka qenë dhe një 25-vjeçar, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar”, tha gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb