LIBRAZHD- Ai sot mbushte 14 vjeç, por vdekja e mori shumë shpejt pranë vetes pas një aksidenti tragjik. Bëhet fjalë për një djalë nga fshati Xhyrë në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit.

14-vjeçari Q.Muçaku, nxënës në klasën e IX-të në Shkollën 9-vjeçare të fshatit Xhyrë ishte përfshirë në një aksident të pazakontë në oborrin e shtëpisë së tij 4 ditë më parë.

Gazetari Fatmir Popja raporton për ‘BalkanWeb’ se djali ishte tërhequr zvarrë për disa metra nga kali i shtëpisë, i cili ishte trembur. Duke qenë se kishte patur të lidhur litarin në dorën e tij 14-vjeçari nuk ka mundur ta zgjidhë dot, ndërsa e tërhiqte zvarrë kali i tij.

Fatkeqësisht adoleshenti pësoi dëmtime të rënda në kokë e trup. Pavarësisht se u dërgua në Qendrën Spitalorë “Nënë Tereza” në Tiranë, ai katër ditë pas aksidentit ndërroi jetë, ndërsa u përcoll për në banesën e fundit ditën kur ai duhet të festonte datëlindjen.

“Më datë 30.10.2018, rreth orës 23:30, në spitalin e traumës Tiranë, ku ka qenë dërguar për mjekim më të specializuar, ka ndërruar jetë shtetasi Q.M., vjeç 14, banues në fshatin Xhyrë, Librazhd, pasi ky shtetas më datë 24.10.2018, në fshatin Xhyrë, është rrëzuar aksidetalisht nga një kafshë dore (kafshe pune)”, thuhet në njoftimin e policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb