Çfarë mjerimi të mash trosh duke thënë se Shqipëria paska marrë “ok” për të hapur negociatat! Dhe përse? Sepse ndonjë teknicien i parruar nga ata që janë në ikje e sipër, për politesë, thotë ndonjë fjalë të mirë në varrim!

Për shkak të politikave të mbrapshta në ekonomi, arsim, media, kulturë, shkencë, drejtësi, kudo, ne nuk na qasin në fshat, këta duan të martohen edhe me gocën e priftit!

Këta bëjnë edhe priftin me barrë! Lëre pastaj se çfarë i bëjnë gocës së priftit!

Eh, jo, jo!

Këta, që thonë se do të hapen negociatat, janë të vetmit fajtorë që Shqipëria sot është e përjashtuar jo nga BE, por edhe nga kultura dhe civilizimi i sotëm europian.

Janë edhe komikë të mëdhenj në paradokset idiote që paraqesin nëpër panele televizive!

Shihini!

Nuk kemi Parlament legjitim, nuk kemi gjykata, nuk bëjmë dot zgjedhje, por ama kushtet për të hapur negociatat i kemi plotësuar!

Kërkojmë negociatorë të huaj si në kohën e Princ Vidit, apo vitin 1997, këta thonë kemi bërë detyrat e shtëpisë!

Me lot, me lot!

Shqiptarët marrin arratinë nga vendi i tyre me numrin më të madh të kërkesave për azil në Europë, ja pra, a nuk po shkojmë në Bashkimin Europian???

Me lot, me lot!

Tellalli i hap negociatat, kurse shtetet europiane deklarojnë se as nuk duan të na shohin në horizontet e tyre! E çfarë rëndësie ka vendimi i vërtetë, rëndësi ka propaganda!

Me lot, me lot!

Kemi bërë progres për në Bashkimin Europian, bërtasin, ndërkohë raportet për ekonominë, korrupsionin, të drejtat e njeriut, arsimin, shkencën, kulturën, mediat, nxijnë, nxijnë sa të vjen turp! Bëjnë sikur mërziten që Europa na tre gon vendin, por shkakun e gjejmë te populizmat dhe nacionalizmat europiane! A thua se këto nacionalizma nuk krijohen pikërisht se ka vende si ne me politika vagabonde, që Europa ruhet t’i ketë në gjirin e saj pa ardhur në rrugën e Zotit!

Këta janë argumenti, pikërisht edhe për ngjalljen e nacionalizmave dhe populizmave në BE!

Me lot, me lot!

Thonë se duan integrimin europian, pikërisht atë nuk duan sepse kanë krijuar ekonomi monopoliste dhe tregun shqiptar e duan për vete dhe miqtë e tyre!

Këta krenohen edhe kur BE europiana dërgon policët e vet për të ruajtur kufijtë tanë! E quajnë integrimi europian!

Me lot, me lot, tani do të na dërgojnë edhe berberë, shoferë taksie, roje institucionesh sepse për asgjë nuk kanë besim te ne!

Na kanë nxjerrë bojën! Te gjitha pikat turistike monumentale kulturore jashtë standardit, këta krenohen se ka turistë, a thua se edhe diellin dhe ujin e bekuar të detit janë këta që na e kanë dhuruar! Kam parë nëpër dyqane që një palë atlete importi kushtojnë 230 euro në Tiranë, Durrës, Korçë a gjetiu! Sa të blesh 7 ose 8 palë këpucë lëkure në çdo vend europiano-perëndimor!

Me lot, me lot!

Me lot, me lot, por sa për të qeshur edhe për të qarë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb