Juventus i bëri një nisje të dobët sezonit. Sikur të mos mjaftonte një fillim i keq, trajneri Allegri e gjen veten duke numëruar lojtarët për sfidën kundër Napolit.

Problemi i madh vjen nga amerikano-jugorët: Alex Sandro, Bentancur, Cuadrado, Danilo dhe Dybala, që do të mbërrijnë në Itali vetëm të premten pasdite. Do të ishte me rrezik për t’i vënë ata në fushë, duke pasur parasysh se të martën është ndeshja e Champions kundër Malmoes në Suedi.

Dybala pritet të luajë në orët e para të së premtes kundër Bolivisë. Bentancur mund të jetë në fushë në sfidën Uruguaj-Ekuador. Brazilianët Danilo dhe Alex Sandro do të luajnë kundër Perusë, ndërsa Cuadrado do të jetë protagonist me Kolumbinë ndaj Kilit.

E vështirë të imagjinohet se, pas një fluturimi ndërkontinental, ata të jenë në fushë në orën 6 pasdite të së shtunës. Edhe Federico Chiesa do të kursehet, sepse ka qenë i angazhuar me ekipin kombëtar kundër Lituanisë.

Allegri e di mirë që një tjetër humbje në Napoli mund të komplikonte shumë sezonin që në start, por kësaj here i ka duart e lidhura, do të mundohet të fitojë me ata që janë të gatshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb