Profesori i Komunikimit, Artan Fuga, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se politik-bërja në Shqipëri, gjithmonë ka vuajtur nga tre metafora fatkeqe.

Fuga thekson se edhe metafora e krahasimit të politikës shqiptare me skuadrën është diktatoriale dhe e padrejtë, sepse trajneri vë e heq nga fusha kë të dojë dhe kapiten vendos kë të dëshirojë.

Postimi i profesorit Artan Fuga:

Metaforat fatkeqe të politikës

———————————

Kur politika shprehet me metafora atëhere dalin në pah konceptet dhe mentalitetet që e frymëzojnë politikën.

Në historinë tonë politike të njëqind vjetëve të fundit ka tre metafora fatkeqe që tregojnë se nga vuan politika te ne.

E para, është krahasimi i politikës me trupin e njeriut. Ose ndryshe antropomorfizimi i politikës. Sistemi politik si një trup njeriu, individi si pjesë e trupit të njeriut. Pra, koka – udhëheqja, zemra – ideologjia, aletatët – krahët, kurse qytetarët këmbët. Nuk thonë kot “jemi bërë si këmbët e dhisë”. Kjo metamoforë është vertikale dhe nuk lejon askënd të dali nga kontrolli i kokës. Eshjtë një metaforë diktatoriale dhe kolektiviste. Nuk shfaqen dot mundësi për të drejta individuale.

E dyta është ajo e familjes, e klani, krahasimi i sistemit politik me familjen. Ndryshe mund të quhet antropologjizimi i politikës. Edhe kjo është një zëvendësim i politikës me organiken, me biologjiken, me lidhjet e gjakut. Qytetarët quhen bijtë, vëllezër dhe motra, të cilët nuk kanë individualitet, janë me të njejtën adn. Kurse baba është donatori, ai që ka superioritet mbi të tjeret dhe kurrë nuk zbret nga froni sepse në familje baba nuk bëhet bir, dhe biri nuk bëhet babë. Kush ngrihet kundër babës quhet plangprishës dhe ngelet edhe me gisht në gojë. Prandaj o çuna qytetarër rrini urtë, mbroni nderin e familjes, mos u përçani në parti të ndryshme dhe mbi të gjitha mos guxoni të kapni vendin e babës! Nuk ka dyshim se edhe kjo metaforë është diktatoriale dhe në traditën antidemokratike.

Metafora e tretë është ajo e skuadrës, pra që e krahason sistemin politik me një ekip basketbolli, ose futboll, etj. Kjo është sportifikimi i politikës, por njesoj diktatoriale si metaforë sikurse edhe dy të tjerat. Rrregullat e lojës janë të përcaktuara dhe askush nuk luan dot ndryshe. Ka një trajner që në çast e nxjerr lojtarin nga loja dhe i thotë ik vishu dhe shko në shtëpi. Brenda skuadrës sundon kapiteni i cili caktohet nga trajneri dhe nuk zgjidhet nga shokët e skuadrës. Në një skuadër futbolli psh edhe rolet janë të përcaktuara. Lojtarët i binden trajnerit, golat i bën ai që cakton trajneri, tjetri qendron në portë si portjer. Të tjerë janë të detyruar të presin në stol si rezerva dhe nuk hyjnë në lojë sepse bërtasin tifozat. As pyet trajneri fare andej. I gjithë ekipi luan me një srategji të paracaktuar jo nga lojtarët. Kush lojtar nuk pranon planin strategjik të trajnerit hiqet. Ndërkohë as bëhet fjalë që disa lojtarë të ekipit të luajnë në bazë të një plani alternativ sepse menjëherë përjashtohen. Fitorja është ose e të gjithëve ose e asnjerit. Me një fjalë brenda një skuadre nuk ka individualitet veçse nën vëzhgimin e trajnjerit, nuk ka alternativa, por unitet të çelniktë në emër të fitores. Skuadra është një tjetër metaforë diktatoriale e politikës. Ja mendësitë deritani.

Ne nuk i njohim sportet individualiste si pingpongu, tenis, boksi, shahu ?

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb