Ceremonia e The Best FIFA Football Awards, e mbajtur dje në Paris, pati disa të pakënaqur. Një prej tyre ishte edhe trajneri i Kroacisë, Zlatoko Dalic, i cili tregoi arsyet se përse nuk votoi me anë të një letre.

“Jam i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s ndaj kombëtares kroate. Besoj fuqimisht se, bazuar në gjithçka që kemi arritur, ne meritojmë më shumë respekt nga organi drejtues i futbollit botëror. Jemi e vetmja Kombëtare që kemi qenë në top katërshe në Botërorin e Katarit dhe në Ligën e Kombeve.

Së bashku me Francën, ne jemi ekipi i vetëm që kemi fituar dy medalje në dy Kupat e Botës më të fundit. Në 23 ndeshjet që kemi luajtur që nga fillimi i EURO 2020, kemi humbur vetëm dy herë. Pse Kovacic, Gvardiol dhe Livakovic nuk ishin kandidatë për të fituar çmime individuale?

Unë shikoj listën e 14 të nominuarve për lojtarin më të mirë të FIFA-s. Përveç të madhit Luka Modric, ku janë lojtarët e tjerë kroatë? Ndjeva mungesë respekti ndaj Kroacisë. FIFA duhet të promovojë Kroacinë. Unë dua më shumë respekt për ne, për kombëtaren tonë, për lojtarët tanë dhe për veten.

Kemi marrë dy medalje në Botërore. Duke marrë parasysh të gjitha sa më sipër, unë kam vendosur të mos marr pjesë në procesin e votimit për çmimet e këtij viti. Por dua të përgëzoj të gjithë fituesit për çmimet e merituara.

Veçanërisht Lukën (Modric) për vendin e katërt të shkëlqyer, edhe pse për mua është gjithmonë numër një”, theksoi trajneri i Kroacisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: