Trajneri i Laçit, Skerdi Bejzade analizoi humbjen 2-1 ndaj Egnatias.
“E pash Egnatian me Partizanin dhe për mua është ekipi më i mirë në Superiore. Pësuam një gol të shpejtë nga Duamena. Duhet të ishim më të vëmendshëm. U realizua lehtë nga sulmuesi. Vazhduam të bënim lojë ofensive. Në momentin më të mirë hëngrëm dhe gol me kundërsulm. U munduam sa kishim mundësi. Edhe ato gabimet që arrinim deri te 16-metërshi dhe nuk godisnim drejt portës. Mungoi finalizimi.
Siç e thashë më parë ne jemi një ekip i ri. Melon e kishim me virozë. Edhe Sobouale kishe probleme me rruazat e kofshës. Nuk frikësohemi vetëm për këtë ndeshje, por dhe për ato në vazhdim. Duhet të jemi në gjendjen më të mirë që të fitojmë ndeshjen tjetër, sepse kampionati vjen duke u vështirësuar.
Ne e mbajtëm mirë deri në 1-0. U munduam të barazonim. Rrezikuam, nuk kishim pse të mbanim ekuilibrat. Mbrapa mund të ishim më të zgjuar. Synimi ynë ishte të vazhdonim presingun lart. Duke ditur kualitetin e Egnatias dhe sulmuesit që mund të shënojnë në çdo moment.
Mundohemi që ta bëjmë sa më mirë si lojë. Nuk e di si e kanë filozofinë skuadrat e tjera. Filozofia ime është që të vazhdojmë kompakt përpara. Ne mundohemi të bëjmë futboll ofensivë dhe të aktivizojmë sa më shumë të rinj.
Unë si lojtar nuk shënoja shumë gola në sezon, më shumë jepja asiste. Por kampionati ka ardhur duke u vështirësuar. Lojtarët që vijnë nga jashtë mendojnë se do bëjnë namin, por nuk shënojnë shumë. Nuk flas për veten. Kampionati është bërë i fortë dhe është e vështirë për çdo lojtar që të shënojë gola” – Tha ai. JS
(BalkanWeb)