MILANO – Të dielën e ardhshme, portieri 15-vjeçar Xhanluixhi Donaruma do të hyjë në “San Siro” dhe do të ulet në stol përkrah trajnerin të Milanit, Filipo Inzagi. Tekniku i kuqezinjve, talentin e portës nuk e ka pasur kurrë më parë në dispozicion, as edhe kur ai ishte në krye të ekipit të të rinjve. Trajneri i ekipit aktual të të rinjve të “Djallit”, Kristian Broki, e vlerëson së tepërmi 15-vjeçarin. Ky i fundit, i grumbulluar nga Kombëtarja e Italisë U-18, u detyrua që të largohej menjëherë nga të kaltrit që luajtën dje ndaj Austrisë U-18 e të paraqitej në “Milanelo”.
Inzagi, përveç emergjencës që ka në mbrojtje për shkak të dëmtimeve, në vështirësi është edhe në portë. Gardiani Diego Lopez është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë kundër Empolit, ndërkohë që Agaci është jashtë për shkak të një dëmtimi fizik. Kështu, vendi i titullarit për përballjen e fundjavës do i takojë Kristian Abiatit, ndërsa në stol do jenë dy portierët e ekipeve të të rinjve, Stefano Gori dhe Donaruma.
Madje 15-vjeçarit do t’i duhet një certifikatë nga mjekët, që garanton se ai është i aftë që të luajë në një ndeshje kundër të rriturve. Por kjo është thjesht një formalitet për adoleshentin 1.97 metra të gjatë, i menaxhuar nga Mino Raiola. Klubi milanist ka shumë besim te talenti 15 i portës, i cili në të kaluarën është kërkuar edhe nga Interi, Juventusi dhe Fiorentina. Por ai tregon se bëri një zgjedhje zemre. “Më kërkoi Interi, por unë doja që të shkoja vetëm te Milani. Më kërkuan edhe Juvja e Fiorentina, por zgjedhjen e bëra vetë sepse gjithnjë kam qenë një tifoz kuqezi, edhe pse jam nga Napoli”.
(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb