Maurizoi Sarri, trajneri i Napolit, e ka vlerësuar pozitivisht sezonin për ekipin e tij pavarësisht se ëndrra për t’u shpallur kampion në “Seria A” nuk u realizua. Për italianin arsyeja përse ‘axurrët’ nuk e fituan titullin ishte psikologjike, e ardhur si pasojë edhe e gabimeve të Ligës Italiane.

“Ky sport është kthyer në një biznes për të gjithë dhe kjo është rruga që dërgon drejt fundit. Lega duhet të përmirësohet, të luash 14 nga 16 ndeshjet e fundit të kampionatit pas Juventus-it, që fiton praktikisht gjithmonë, është një stres emocional që nuk mund të nënvlerësohet”, ka thënë Sarri.

“Nuk e di nëse ka fituar skuadra më e fortë, por sigurisht ka fituar skuadra më e fuqishme në çdo aspekt. Pengu më i madh i këtij sezoni është se kemi humbur një kampionat në hotel dhe jo në fushë, sepse ka qenë shumë e vështirë në aspektin psikologjik. Le të themi se jemi një skuadër e ndjeshme”, ka vazhduar trajneri i Napoli-t.

Edhe mbrojtësi Albiol i ka bërë një analizë sezonit të Napoli-t, duke thënë se: “Kemi bërë gjithçka ishte e mundur për të qëndruar në krye, por kanë ndodhur disa episode që kanë kushtëzuar ecurinë tonë, si kartoni i kuq i marrë nga Koulibaly në Firence. Duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe e ardhmja është e bukur, veçanërisht nëse trajneri do të qëndrojë. Jemi përmirësuar shumë nën drejtimin e tij”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb