TIRANE – Administratori i OSHEE, Adrian Çela iu përgjigj sot akuzave të PD-së në lidhje me tenderin e trajnimeve të punonjësve të OSHEE-së. Çela sqaron se PD flet për një procedurë të anuluar. Sipas tij, OSHEE planifikon të shpenzojë 12 mijë lekë për punonjës në vit, gati mbi dyfish më pak se në kohën qeverisë Berisha.

“OSHEE i bën thirrje opozitës të jetë konstruktive pasi përmirësimi dhe investimet në rrjetin energjitik nuk janë as të majta e as të djathta, por janë hapa të rëndësishëm që duheshin ndërmarrë prej kohësh, për të mirën e shqiptarëve dhe zhvillimin e Shqipërisë.”- theksoi administratori i OSHEE-së.

REAGIMI I PLOTE I ADRIAN ÇELES
PD flet për një procedurë të anuluar. Kaq shumë janë të etur për të hedhur baltë, sa janë të gatshëm të gënjejnë vetëm e vetëm se nuk pranojnë dot faktin se në 2 vjet qeveria e re dhe OSHEE ka bërë shumë më shumë se çbëri qeveria e tyre në tetë vjet së bashku.

Referuar procedurës në fjalë, OSHEE sqaron se, më datë 29 tetor, ka njoftuar me shkresë dhe protokoll (bashkëlidhur) Agjencia e Prokurimit Publik (APP) si dhe janë bërë veprimet në sistemin elektronik për anulimin e procedurës, për shkak se kompania nuk realizonte në kohë shërbimin e kërkuar.

Po më datë 29, OSHEE, sipas ligjit “Për Prokurimin Publik”,neni 24 dhe 58, për shkak të pamundësisë së realizimit brenda afateve të shërbimit, kompania është tërhequr nga lidhja e kontratës, në përputhje të nenit 58, pika 5.

Referuar sistemit të prokurimit elektronik, kjo procedurë është anuluar që më datën 30 tetor.

Nga ana e saj, APP, për shkak të procedurave dhe afateve ligjore, e ka bërë shpalljen zyrtare të anullimit të tenderit, sot më datë 9 nëntor. (bashkëlidhur) dhe këtu vërehet që APP i referohet këtyre shkresave.

Në lidhje me projektin në fjalë, shpreh keqardhjen për baltosjen që i bën opozita, a thua sikur ata nuk janë të interesuar për rritjen e cilësisë së stafit të OSHEE dhe përmirësimit të shërbimit ndaj klientit.

Në lidhje me projektin theksoj se kjo praktikë është e njohur dhe ndërkombëtare.
Kontrata e shërbimit për trajnimin e punonjësve të OSHEE përmban këto pika:
• Menaxhimi i kohës
• Menaxhim projekti
• Aftësitë në lidership
• Menaxhimi dhe strategjia e burimeve njerëzore
• Ndërtimi i skuadrës së punës
• Zgjidhja e problemeve dhe komunikimi i duhur me kosnumatorin
• Aftësi në negocim
• Menaxhimi i stresit
• Shërbimi i klientit – komunikim efektiv
• Siguria në vendin e punës
• Kodet elektrike dhe standardet e sigurisë në punë
• Përdorimi i drejtë i mjeteve dhe veshjeve të punës
• Lidership dhe Supervizim
• Analizimi dhe planifikimi i sistemit energjetik
• Teknlogjitë e reja dhe trendet ndërkombëtare në nënstacione
• Cilësia e shërbimit
• Ndihma e shpejtë
• Mbrojtja nga rreziku i rënies së zjarrit

Në lidhje me “Menaxhimin e Stresit”, është 1 ndër 20 temat e planifikuara për trajnime, dhe bëhet fjalë vetëm dy ditë trajnim dhe që përfshin specialist të Kujdesit ndaj Klientit për të rritur cilësinë e shërbimit public ndaj qytetarit.

Shërbimet më sipër kanë dalë në bazë të një studimi për burimet njerëzore dhe praktikave të njohura ndërkombëtare.

Ne kete plan trajnimesh jane marre eksperiencat dhe jane krahasuar ekspertizat me te mira te kompanive trajnuese si RINA Services S.P.A. ne Itali, qe është kompani që merret me shpërndarjen e shërbimeve të klasifikimit, çertifikimit, testimeve dhe ispektimeve (shërbimet TIC) për të siguruar ekselencë të kompanive në fushën e energjitikës.

Gjithashtu edhe Insituti i Energjitikës Delta (EDI) është një shkollë ndërkombëtare ne Hollande me fokus në biznesin e energjitikës. Ajo ofron një larmi programesh universitare në fushën e energjitikës si dhe përmes aktiviteteve të netëork-ut ajo pregatit profesionist në fushën e energjitikës për tu përballur me sfida të ndryshme. EDI është themeluar në në vitin 2002 nga GasTerra B.V., N.V. Nederlandse Gasuine, OAO Gazprom, Shell dhe Universiteti i Groningen, më vonë i janë bashkuar edhe A.Hak and EBN.

Shifra 72 milion lek është caktuar pas analizës që i është bërë tarifave të tregut të këtij shërbimi, duke ftuar të gjithë aktorët kryesorë.

Trajnimet që OSHEE ka planifikuar synojnë të krijojnë një kompani efiçente, duke siguruar që eprori dhe punonjësi, në mënyrë të përbashkët të përcaktojnë standartet e performancës dhe objektivat specifike për periudhën e ardhshme të vlerësimit.

Qëllim kryesor i këtyre trajnimeve është ulja e fondit të trajnimeve në vitet pasardhëse pasi përgatit trajnuesit e brëndshëm të shoqerisë që do të sjellë reduktim të kostoveve vjetore për këtë shërbim.

Në trajnim do të marrin pjesë duke filluar nga menaxherët më të lartë, deri tek specialisti i Kujdeset ndaj Klientit.

Ndaj dhe OSHEE brenda kësaj jave do të rihapë sërish procedurën e prokurimit për këtë shërbim, pasi jemi të bindur për nevojën e trajnimit për një kompani që kërkon të ecë përpara, në cilësi, staf të kualifikuar dhe modern, sikurse ndodh në praktikat ndërkombëtare.

Nuk duhet harruar se në kohën kur Partia Demokratike drejtonte vendin, kompania shpenzoi në vitet 2010-2012, jo pak por 375 milionë lek për trajnime dhe konsulencë, të miratuara nga Enti rregullator i asaj kohe.
Nga kjo shumë, del se në vit shpenzoheshin mbi 120 milionë lekë, që për punonjës ishte 27.400 lekë të reja trajnim.
Kurse OST, në kohën e qeverisë Berisha ka shpenzuar 14.300 lekë të reja në vit për punonjës.

Ndërsa OSHEE planifikon të shpenzojë 12 mijë lekë për punonjës në vit, gati mbi dyfish më pak se në kohën qeverisë Berisha.

OSHEE i bën thirrje opozitës të jetë konstruktive pasi përmirësimi dhe investimet në rrjetin energjitik nuk janë as të majta e as të djathta, por janë hapa të rëndësishëm që duheshin ndërmarrë prej kohësh, për të mirën e shqiptarëve dhe zhvillimin e Shqipërisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: