Trangujt e freskët janë përbërësi kryesor i shumë sallatave të shijshme dhe ushqyese.

Por çfarë ndodh kur trangulli që ne përdorim për sallatë është i hidhur? A e keni pyetur veten se nga vjen hidhësia e trangullit?

Zakonisht trangujt e sapokëputur dhe të stinës janë të shijshëm, plot lëng, por herë pas here gjejmë edhe nga ata të hidhurit që na shkaktojnë shqetësim dhe merak.

Kjo ndodh sepse kushtet e mjedisit ku rriten trangujt kanë një ndikim të madh në shijen e tyre.

Nëse ju ka ndodhur të kafshoni një trangull të hidhur, atëherë duhet ta lexoni patjetër këtë artikull ku do të mësoni edhe se si t’i riktheni shijen e ëmbël këtij fruti fantastik. Po, po trangulli është frut!

Hidhtësia e trangujve është gjenetike
Trangujt i përkasin familjes botanike Cucurbit, të njëjtës familje të frutave si shalqini ose kungulli.

Besoni informacionin e sjellë nga AgroWeb.org ose jo, por trangulli botanikisht kategorizohet si frut.

Të tre përmbajnë disa substanca natyrale që njihen si cucurbitacin, që zakonisht qëndrojnë tek kërcenjtë dhe tek gjethet.

Megjithatë, shpesh ndodh që këto kimikate lëvizin nga gjethet brenda në frut duke i bërë ato të hidhur.

Si ndodh hidhësimi i trangullit?
Nxehtësia
Ngritja e temperaturave e streson trangullin dhe e bën atë të hidhur. Nëse temperaturat janë të nxehta përpara pjekjes së trangujve, atëherë ata do të kenë një shije të hidhur.

Hidhtësia nuk shkaktohet domosdoshmërisht nga nxehtësia. Mjafton edhe luhatja e vazhdueshme e temperaturave që shija e trangullit të kompromentohet.

Thatësia ose Ujitja e tepërt
Ashtu si në rastin e luhatjes së temperaturave, periudha të gjata thatësie të ndjekura nga ujitja e tepërt mund të shkaktojnë stres tek bima e trangullit duke e bërë produktin final tepër të hidhur.

Faji tek genet
Disa bimë të trangullit përmbajnë gene të caktuara që shkaktojnë hidhtësinë e tyre. Edhe nëse farat që përdorni janë të të njëjtit varitetet të trangullit, një prej tyre do të dalë i hidhur ndërsa të tjerët do të jenë të shijshëm. Është çështje genesh!

Përdorni këtë metodë për të ëmbëlsuar trangullin e hidhur
A e dinit se mund t’i shpëtoni trangujt nga hidhtësia e tyre përpara se t’i konsumoni?

Një metodë është që të prisni të dy majat e trangullit dhe zonat e prera t’i fërkoni me copën e prerë apo edhe me pëllëmbën e dorës.

Një lëvizje e tillë ndikon në përmbajtjen kimike të këtij fruti dhe kastravecit do t’i humbë shija e hidhur./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb