Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Largimi nga puna i 7 efektivëve të forcave RENEA, ku dy prej të cilëve ishin praktikantë të fesë islame, sipas Myftiut të Tiranës, Ylli Gurra, nuk është bërë për shkak të besimit fetar, por sepse nuk kanë kapur normat fizike. Kjo gjë Myftiut të Tiranës i është komunikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, gjatë takimit që kanë zhvilluar në datën 13 shkurt. Sipas Gurrës, gjatë takimit është rënë dakord që të zhvillohen seminare të forcave të policisë për të mësuar më shumë mbi fenë, por edhe për hoxhallarët, në lidhje me mesazhin që ata përcjellin. Sipas tij, shqetësime për praktikim të fesë islame janë ndjerë edhe në ushtri.

Zoti Gurra, në datën 13 shkurt keni bërë një takim me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi, në lidhje me transferimin e disa efektivëve të forcave RENEA, ku dy prej tyre ishin besimtarë praktikantë të fesë islame. Çfarë mësuat më shumë gjatë këtij takimi?
Informacionin për transferimin e oficerëve të RENEA-s e kemi marrë nga media, ndaj dhe kërkuam një takim me drejtues të Ministrisë së Brendshme. Por mësuam që transferimi i tyre nuk kishte lidhje me spektrin fetar. Ajo që dua të them më shumë për takimin me numrin një të policisë, Artan Didi, ishte një takim konstruktiv dhe me vlerë. Mendojmë se pas këtij takimi do të pasojmë me seminare të përbashkëta, midis Policisë së Shtetit dhe komuniteteve fetare, dhe më së shumti me Komunitetin Mysliman, për shkëmbim të informacionit, por edhe për të mësuar më shumë mbi fenë.
Seminaret do jenë për t’i informuar më shumë mbi fenë forcat e Rendit?
Pjesëtarë të forcave të Rendit nuk kanë informacione për fenë. Nuk është kusht që të jenë të mirinformuar, por janë disa informacione që do ta ndihmojnë policinë. Por edhe imamllarët dhe hoxhallarët do të vihen në dijeni për rolin dhe peshën që kanë forcat e Rendit. Ata njerëz janë në vijën e parë të sigurimit të jetës së qytetarëve. Dhe sidomos forcat RENEA, të cilët janë në krye të këtyre aksioneve. Ndaj dhe qeveria, duke marrë shkas nga ngjarjet e mëparshme, por edhe nga situata që është sot në Europë, kërkon që të ketë bashkëpunim mes policisë dhe besimeve fetare. Ka dy paralele; është çështja e terrorizmit fetar, ku qytetarë shqiptarë po shkojnë për çlirimin e Sirisë apo të vendeve të tjera, dhe në krahun tjetër është islamofobia, e cila, edhe pse nuk është në kufijtë problematikë në Shqipëri, po shikohet se po vjen në rritje. Ndaj në takim u ra dakord për këtë mundësi bashkëpunimi, për ndërtimin e urave të komunikimit, në lidhje me forcat e Rendit dhe komuniteteve fetare. Por edhe hoxhallarët, duhet të jenë me këmbë në tokë me përcjelljen e mesazhit të fesë. Nuk duhet të dilet nga islami universal, ne kemi dhe kulturën dhe traditën tonë shumë të mirë shqiptare. Ndaj duhet bërë kujdes me mesazhin që përcillet. Harmonia fetare është e mundshme, shqiptarët po e tregojnë këtë. Por nuk mund të biem në gjumë letargjik, duke ditur që e kemi këtë të mirë, pasi kjo nuk është e përjetshme. Teknologjia, ndikimet, kanalet e ndryshme të komunikimit janë prezente dhe kanë influencë edhe në vendin tonë. Nëse forcat e Rendit janë të informuara, do kemi stabilitet të qëndrueshëm në vijimësi.
Të kthehemi te forcat RENEA; transferimi i tyre, nuk kishte të bënte me përkatësinë fetare?
RENEA ka një kusht të veçantë, që janë testimet dhe normat fizike. Herë pas here efektivët e forcave speciale kalojnë në testime. Në momentin që ti ke një dështim në testim, transferohesh, por brenda llojit, në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Pra këta persona nuk kanë kaluar testin dhe nuk kanë kapur normat fizike, ndaj janë transferuar?
Gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, kjo gjë më është komunikuar, se transferimi i tyre është bërë për shkak se nuk kanë plotësuar normat fizike. Dhe mosha mesatare që mund të rezistojë një oficer i RENEA-s shkon deri në 45 vjeç; përjashtojmë kushtet fizike të dikujt dhe mosha mund të shkoi deri në 47 vjeç, apo shumë raste të rralla që mund të shkojnë mbi këtë moshë.
Një ndër efektivët që është transferuar është edhe personi që ka shoqëruar kryeministrin në Beograd…
Po pra, ndaj është një repart-elitë!
Është pjesë e të transferuarve…
Nuk e dija, por nuk është çudi që, pas testimit të jetë larguar pasi nuk ka kapur normat.
Zoti Gurra, keni ndonjë informacion në lidhje me transferime apo probleme të tjera në administratën publike apo institucione të tjera për sa i përket personelit që janë praktikantë të besimit islam?
Ne e kemi të domosdoshëm komunikimin e shpeshtë të ngushtë me forcat e Rendit dhe të sigurisë, pse jo, edhe në aspektin ushtarak. Kam informacion, por jo të detajuar, që një shqetësim i tillë ndihet edhe në ushtri. Ka ushtarë që frekuentojnë xhamitë, pse jo dhe kishat. Dhe janë ngritur si shqetësime. Ndaj duhet një ndërhyrje e institucioneve dhe e komunikimit të vazhdueshëm. Ushtria dhe policia kanë specifika, pasi janë pjesë e sigurisë kombëtare. Këta frekuentues fetarë duhet të kenë vetëdije për misionin e tyre dhe të jenë në lartësinë e detyrës. Po e them në zhargonin popullor: këta persona nuk mund të braktisin frontin sepse do të falen. Në aspektin fetar, shërbimi ndaj Zotit është i njëjtë me shërbimin ndaj atdheut. Këmbëngul se informacioni dhe komunikimi i përhershëm i mbyll rrugën çdo keqinformimi. Për këtë duhet investim, ndaj brenda një kohe shumë të shkurtër do kemi seminare dhe trajnime të këtij lloji. Takimi me Didin tregoi se kjo gjë është e domosdoshme dhe është edhe praktike në vendet perëndimore, pasi paraprin çdo lloj ekstremiteti.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: