Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka për të shlyer 3 vite e 4 muaj burgim, është transferuar ditën e sotme nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Fier për në IEVP e Lushnjës.

Gazetarja Klodiana Lala zbuloi se transferimi i Tahirit u bë pas kërkesës së familjarëve të tij, por në media qarkulluan lajme se ka pasur një përplasje midis ish-ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të burgut të Fierit, Arjan Hasani.

Një nga mosmarrëveshjet që u përfol ka qenë ajo për tregtimin e ujit brenda ambienteve të burgut. Lidhur me këto zëra ka folur avokati i Tahirit, Maks Haxhia.

“Unë vete s’po them 2 herë në jave, po një herë në 2 jave dhe kam shumë kontakt me Saimir Tahirin që është zbatues i ligjit shumë rigoroz. Nuk di që ka konflikt me drejtorin, por ka kërkuar vetë që të shkojë në Lushnjë sepse atje ka shumë të dënuar të tjerë për vepra penale të ndryshme e për shkak të aksesit të lehtë për t’u takuar me familjen. Nuk më është ankuar për rregulla të forta, ka qenë i disiplinuar dhe shumë zbatues për rregullat e burgut”,  ka deklaruar Haxhia.

Ai shtoi gjithashtu se do ta takojë ish-ministrin të hënën, por nuk beson të ketë pasur konflikt mes tij dhe drejtorit të burgut.

“Për konflikt nuk e di, e kam lënë që të  shkoj të hënën, po nuk besoj të ketë”, tha ai.

Haxhia tha ndër të tjera për AbcNews se Tahiri nuk ka shumë kohë që e bën kërkesën, por ai ka dashur që në fillim të kryejë dënimin në Lushnjë, por u dërgua në Fier pasi aty kushtet ishin më të mira.

“Ai nuk ka kohë që e kërkon, ka 10 ditë që më ka thënë, madje ai ka kërkuar që ditën që është ndaluar të shkojë në Lushnjë. Burgu i Fierit është godinë më e re”, tha Haxhia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb