Në vijim të takimeve për ligjin e ri për bashkëqeverisjen, kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë në Berat, prej ku ka ripërsëritur se nga janari i vitit të ri nuk do të ketë më sportele.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se qytetarët nuk do të rrinë të presin nëpër sportele apo të fusin dorën në xhep për të dhënë ryshfet, që të marrin shërbimet, pasi këto të fundit do t’i marrin përmes telefonit.

“Dua tju bëj me dije se sot janë mbi 1 mijë shërbime që jepen online. Të gjithë qytetarët përmes platformës ‘e-Albania’ kanë mundësi t’i aksesojnë këto shërbime pa dalë nga shtëpia. Edhe për Kadastrën sot nuk është e nevojshme të shkohet në sportel, por mund të bëhet aplikimi përmes telefonit. Pastaj, Agjencia e Kadastrës është e detyruar të lajmërojë për dhënien e dokumentacionit.

Kemi një transformim rrënjësor të marrëdhënies së qytetarit me dokumentet e shtetit dhe një mundësi për çdo qytetar që t’i japë fund vetë të gjitha vështirësive dhe të mos ketë asnjë nevojë të fusë dorën në xhep për të paguar ryshfet për të lehtësuar rrugën e marrjes së një shërbimi. Duke filluar nga janari ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do të ketë më sportele. Pra, nuk do të shkohet më në sportele, që të mbahet radhë. Ne nuk kemi pse të vazhdojmë të kemi këtë problematikë kaq të madhe mes shtetit e qytetarit e të vazhdojmë të faturojmë një kosto kaq të madhe nervash, kohe, por edhe lekësh, te qytetarët, ndërkohë që shërbimet janë aty.

Një pjesë e madhe e aplikimeve e marrin përgjigjen drejtpërdrejt në telefon, një pjesë tjetër marrin vetëm njoftimin në telefon. Ne duhet ta mbyllim këtë cikël dhe jo vetëm aplikimi, por edhe marrja e dokumentit, të merret online. Ne do t’i mbyllim në mënyrë më graduale sportelet e Kadastrës. Na duhet të njoftojmë publikun se duhet t’i kthehet ekranit të telefonit dhe të harrojë sportelin. Nëse nuk merr përgjigjen, ka korsinë e ankimimit online. Me ligjin e ri të bashkëqeverisjes, shteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo ankimimi të qytetarëve”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb