Landfilli i Sharrës është shembull i një transformimi real të një ‘hot spoti’ historikisht të dëmshëm për Tiranën në një mushkëri të gjelbër për qytetin.

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ishte sot në landfillin e Sharrës, ku theksoi se “në këtë 5 qershor mund të themi se kemi bërë jo vetëm ligje të mira por investime reale për një Shqipëri të pastër, të gjelbër e turistike që nuk ofron papastërti por ofron bukurinë e natyrës”.

“Është koha për natyrën. Pikat më nevralgjike të mjedisit, inceneratori i Sharrës, tashmë kanë tjetër pamje”, tha Klosi.

“Kjo është një vepër e madhe publike dhe si kjo vepër ka tashmë edhe në Elbasan e Fier dhe do të vazhdojmë në Korçë, në Vlorë, në Bushat dhe po ashtu në veri për të pasur mundësi të kemi në Shqipëri një transformim të plotë të mënyrës se si ne trajtojmë mbetjet urbane”, tha ai.

“Ajo çfarë shikojmë këtu në landfillin e Sharrës është një investim i madh publik. Me pak punë por me shumë dëshirë e kontribut ne mundëm të transformojmë ‘hot spote’ si ai i Sharrës, që për gjithë ne që jemi marrë me administrim e politikë ka qenë një ndër akuzat më të mëdha në Shqipëri”, tha Klosi.

Klosi tha se “tani kuptohet fare qartë se një vend që ka qenë turpi i Shqipërisë tani është shndërruar në park të qytetit, në zonë të gjelbër tashmë edhe të mirëadministruar për t’i lënë vendin pastaj një inceneratori të madh, i cili do të trajtoj mbetjet urbane të gjithë Shqipërisë nesër”.

“Është një investim i madh publik, një transformim real i luftës sonë të madhe për një Shqipëri të pastër. Kjo është një pikë kthese për gjithë mënyrën e menaxhimit të mbetjeve urbane. Ne mund të kthehemi me shpejtësi në një Shqipëri të pastër që nuk prodhon imazhin e keq të mbetjeve urbane. Në parlament tashmë është një ligj shumë i rëndësishëm, ndalimi i përdorimit të qeseve plastike. Po ashtu kemi një sërë masash për një Shqipëri të pastër e ambientale siç janë edhe rregullat për ndalimin e makinave të vjetra të hyjnë në Shqipëri. Kemi një paketë ligjore që ka ndihmuar Shqipërinë të jetë në avangard për sa i përket politikave mjedisore”, tha Klosi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb