TIRANË

Çështja mjaft sensitive e koncesioneve prej qindra milion euro të inceneratorëve në Shqipëri, veçanërisht atij të Tiranës, është ndjekur nga afër nga News24 dhe BalkanWeb, pjese e grupit “Focus Media News”. Me trasparencë dhe përgjegjshmëri News24 dhe BalkanWeb i kanë përcjellë publikut me fakte dhe me dokumente historikun e inceneratorëve në Shqipëri, si u përfituan kontratat, çfarë kostosh kanë ato për taksapaguesit shqiptarë, kush janë aksionerët, të paktën ato që ka paraqitur nëpër dokumente qeveria.

Në emër të transparencës për qytetarët, News24 dhe BalkanWeb kanë publikuar çdo të dhënë mbi zhvillimet e këtyre koncesioneve dhe personave të përfshirë. Në raportime është pasqyruar skandali i shpërthyer në Zimbabve, ku sipas medieve ndërkombëtare aksionerë të inceneratorëve në Shqipëri kishin futur duart në tenderat e shtetit afrikan me kontrata pajisjesh mjekësore deri në 60 milionë euro. Aferë kjo që çoi në arrestimin e ministrit të Shëndetësisë në Zimbabve. News24 dhe BalkanWeb i kanë referuar këto lajme fillim e mbarim, ashtu siç kanë qenë në mediet ndërkombëtare.

Në ndjekjen e zhvillimeve, janë pasqyruar edhe deklaratat e opozitës për çështjen e inceneratorëve. Njëkohësisht, News24 dhe BalkanWeb kanë publikuar edhe pretendimet e zotit Mirel Mërtiri se nuk ka qenë pjesë e skandalit në Zimbabve. Por, në drejtim të “Focus Media News” ka mbërritur një padi civile nga Mirel Mërtiri, i cili pretendon se është dëmtuar, dhe kërkon një dëmshpërblim prej 300 mijë lekësh.

Kjo formë presioni bëhet në një moment kur News24 dhe BalkanWeb kanë publikuar raportin e detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit me shkelje të panumërta në koncesionin e inceneratorit të Tiranës, që do t’i kushtojë mbi 200 milionë euro qytetarëve shqiptarë, dhe do të mbushë xhepat e shoqërisë, e cila është e regjistruar në shtet, dhe që njihet për lehtësirat e krijimit të kompanive guackë.

Sa për kujtesë, në auditimin e KLSH thuhet se vetëm kostot eadministrative janë fryrë mbi 60 milionë euro në mënyrë të pajustifikuar. News24 dhe BalkanWeb kontratën e tyre e kanë vetëm me publikun, prandaj janë përkatësisht Televizioni i parë informativ në vend dhe faqja e internetit më e klikuar shqiptare.

“Focus Media News” do të vazhdojë të raportojë me transparencë të plotë çdo lajm që lidhet me koncesionin e inceratorëve, madje edhe pretendimet e përfituesve të kontratave, mjafton që ato të dalin me zë dhe me fytyrë përpara publikut, në mënyrë që qytetarët të shohin se në xhepat e kujt po shkojnë paratë e tyre, dhe të tregojnë se nuk janë fantazma dhe emra anonime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb