79 mjekë të rinj janë punësuar sot në sistemin shëndetësor publik, përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka pritur në një takim mjekët e sapopunësuar, ku theksoi se nuk do të ketë më kthim mbrapa për punësimin e profesionistëve të shëndetit me meritë dhe transparencë.

“Të gjithë vendet janë të prekura nga fenomeni i lëvizjes së lirë të mjekëve, edhe vendi ynë është i prekur nga ky fenomen. Por e vërteta është që profesionistët e shëndetit vijojnë të punësohen në sistemin shëndetësor. Dhe po punësohen me meritë. Vetëm për muajin Janar dhe Shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore”, tha Manastirliu në takimin me mjekët.

“Ju do të jeni nga nesër dëshmitarë të ndryshimeve në shëndetësi sa i takon kushteve të punës. Vetëm këto dy vite Poliklinika e Vlorës, Poliklinika e Lushnjes, 180 qendra shëndetësore që janë rindërtuar me standarded më të larta janë sot realitet i prekshëm. Do të vijojmë me programin e rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, siç po vijojmë me investimet për maternitetet e Lezhës, Kukësit, Beratit, materniteti “Mbretëresha Geraldinë” e deri te spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT”, u shpreh Manastirliu.

Portali ”Mjekë Për Shqipërinë” është një portal që nuk hapet me faza, por do të jetë gjatë gjithë kohës i hapur për të plotësuar vendet e lira të punës me mjekë familje apo mjekë specialistë. Secili mjek i cili është i diplomuar dhe i licensuar mundet që të aplikojë përgjatë gjithë vitit në pozicione të cilat janë të shpallura apo do të shpallen rishtazi në mënyrë të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa procedurat ndiqen nga Operatori i Kujdesit Shëndetësor.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb