Pavarësisht një paralizimi të jetës sociale me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19, një virus me aftësi të larta infektimi, me vatër në qytetin Wuhan të Kinës, transporti i mallrave nuk ka ndalur.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi sot se në muajin shkurt 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 miliardë lekë, duke u rritur me 7.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 5.7%, në krahasim me muajin janar.

Importet e mallrave, referuar INSTAT, arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u rritur me 3.5%, në krahasim me një vit më parë dhe me 23.1%, në krahasim me muajin janar 2020.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, gjatë muajit të dytë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019, janë Italia (5.3%), Spanja (25.6%) dhe Gjermania (11.5%).

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, në muajin shkurt 2020 në krahasim me shkurtin e 2019-s, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve janë Turqia (13.4%), Greqia (13.7%) dhe Kina (9 %), raporton ATSH.

Të dhënat më të fundit, tregojnë se edhe pse Kina po përballej për rreth tre muaj me COVID-19, atë që tashmë është cilësuar pandemi, nuk ndaloi tregtinë e mallrave.

Megjithë se transporti i mallrave nuk është ndalur nga asnjë nga vendet e prekura nga COVID-19, kjo pandemi që ende nuk mund të parashikohet se sa do të zgjasë, pritet të prekë ekonominë e gjithë botës. Industritë e restoranteve dhe turizmit, transportit dhe logjistikës pritet të goditen më shumë.

Pas shfaqjes së rasteve të konfirmuara, qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të forta dhe në kohë, gjë që është shumë inkurajuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: