NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Mësuesit që japin mësim larg vendba nimit të tyre do të përfitojnë një shtesë mujore të pagës, në bazë të largësisë së banesës së tyre nga shkolla. Vendimi është marrë ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave, ku veç punonjësve arsimorë, transport falas përfitojnë dhe nxënësit që zhvillojnë mësimin mbi 2 km nga banesat e tyre. Por në vendimin e ri të qeverisë është vendosur një kusht për përfitimin e transportit falas për nxënësit, se në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike shkollë/kopsht.

Sipas këtij vendimi, në përputhje me distancat që përshkojnë mësuesit, përfitojnë edhe shtesë në pagën mujore; për distancën 10 deri 20 km të shkollës nga shtëpia, mësuesit përfitojnë 1,000 lekë në muaj; në distancën mbi 20 km, përfitojnë 1,800 lekë në muaj; nuk përfitojnë shtesë mbi pagën mujore mësuesit që e kanë distancën e vendit të punës me vendbanimin e përhershëm më pak se 10 km. Por për këtë kategori arsimtarësh, të cilët e kanë distancën e punës mbi 5 km, Drejtoritë Arsimore duhet të mbulojnë shpenzimet e transportit.

VENDIMI
Për vitin shkollor 2015- 2016, punonjësve arsimorë që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi i tyre dhe nxënësit që mësojnë jashtë vendbanimit të tyre do t’u mbulohen nga fondet publike shpenzimet e transportit. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se: “Mbulimi i shpenzimeve të transportit do të bëhet për punonjësit arsimorë (drejtor, nëndrejtor, mësues) të institucioneve arsimore publike (shkolla publike të arsimit bazë, kopshte publike) të cilët punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/ fshatit, në largësinë mbi 5 km nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm, dhe kthehen brenda ditës.” Po ashtu, përfitues janë edhe nxënësit që mësojnë në shkolla mbi 2 km nga vendbanimi i tyre, por me kusht që në vendbanimin e tyre të mos funksionojë asnjë institucion arsimor publik, shkollë apo kopsht.

“Përballimin nga fondet publike të shpenzimeve për transportin e: nxënësve që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë, nga vendbanimi përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 2 km larg institucioneve arsimore publike më të afërta (shkollë/kopsht); në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike (shkollë/kopsht). Nxënësve që jetojnë në qendra rezidenciale të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave për grupe të nxënësve/ fëmijëve/familjeve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë dhe që udhëtojnë mbi 2 km larg për të ndjekur mësimin në institucionet arsimore publike më të afërta (shkollat e arsimit bazë ose kopshtet publike); nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik”, përcaktohet në vendimin e djeshëm të qeverisë.

Në vendim parashikohet se në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, këto njësi realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të mësuesve dhe nxënësve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare.

Punonjësit arsimorë që përfitojnë transport të siguruar nga njësitë arsimore vendore, nuk përfitojnë shpërblim mujor për largësi më pak se 10 km nga vendbanimi i tyre; përfitojnë shpërblim 1 000 (një mijë) lekë në muaj, kur kjo largësi është nga 10 km deri në më pak se 20 km; përfitojnë shpërblim 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj, kur kjo largësi është mbi 20 km. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: